Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në qeverinë serbe, i cili ditën e premte gjatë një fjalimi në fshatin Hoqë e Madhe e ka cilësuar UÇK-në, si organizatë terroriste.
Policia bën të ditur se me këto deklarata, Popoviq dyshohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe e mos durimit”, transmeton Telegrafi.
“Në PKK Bërnjak është arrestuar i dyshuari shtetas i Serbisë për shkak se i njëjti dyshohet se gjatë një fjalimi në fshatin Hoqë e Madhe ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare. Me këto veprime i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale të lartcekur”, ka njoftuar policia.
Gjithashtu, Policia njofton se nga i dyshuar në cilësi të provave materiale janë sekuestruar përkohësisht 2 telefona celularë.
“Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, bëhet e ditur në komunikatë.
Edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas deklaratave të zyrtarit serb Igor Popoviq, i cili gjatë një fjalimi në Rahovec e cilësoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste.
Sveçla konfirmoi edhe zyrtarisht se Popoviq është ndaluar në pikën kufitare në Bërnjak dhe ndaj tij priten masa konform ligjeve në fuqi.
Sipas tij, Popoviq që është ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën “Zyrë për Kosovë” në Serbi – me deklarimet e tij ka nxitur urrejtje dhe përçarje ndëretnike në Republikën e Kosovës.