Policia greke ka vijuar hetimet për vrasjen e profesorit 43-vjeçar Przemyslaw Jeziorski, i cili u ekzekutua me gjakftohtësi pasditen e 4 korrikut në Agia Paraskevi të Athinës.

Pesë persona janë aktualisht në dispozicion të autoriteteve: dy grekë, një bullgar dhe dy shqiptarë. Ata do të dërgohen në prokurori, ndërsa ish-bashkëshortja e viktimës dyshohet se ka luajtur një rol kyç në krim, e akuzuar si nxitëse.

Shqiptarët e arrestuar janë Andrea Sherri, 24 vjeç, dhe F. Driza, 16 vjeç. Të tjerët e përfshirë janë partneri 35-vjeçar i gruas greke, i konsideruar si autori kryesor i krimit, dhe një shtetas bullgar, të cilët akuzohen për bashkëpunim në ngjarje.

Sipas autoriteteve, plani dyshohet se u hartua pas një vendimi gjykate që i jepte të drejtë profesorit të merrte fëmijët e tij jashtë vendit. Ish-bashkëshortja, sipas të njëjtave burime, dyshohet se kishte frikë se nuk do t’i shihte më kurrë fëmijët.

Mosmarrëveshja nuk ishte e kufizuar vetëm në kujdestarinë. Çifti kishte llogari financiare të hapura nga aktiviteti i tyre i përbashkët biznesor në SHBA. Edhe pse ish-bashkëshortja i mohon akuzat, të dyshuarit e tjerë kanë pranuar përfshirjen e saj dhe kanë zbuluar rolin që ka luajtur.

Vrasja ishte organizuar në mënyrë të mirëplanifikuar. Autori 35-vjeçar kërkoi ndihmë fillimisht në Nafplio nga bashkëpunëtori i tij bullgar, i cili e vuri në kontakt me dy shqiptarët. Edhe pse këta të fundit refuzuan të merrnin pjesë drejtpërdrejt në vrasje, ranë dakord të ndihmonin me transportin, arratisjen dhe ndërtimin e një alibie në këmbim të 1.500–2.000 eurove një shumë që, sipas tyre, do të paguhej nga partneri i autores së krimit.

Tentativa e parë për atentat ndodhi në Haidari, ku viktima kishte një takim me ish-gruan dhe fëmijët e tyre te një psikolog fëmijësh. Meqenëse nuk pati mundësi ta kryente krimin në atë moment, autori i ngriti një pritë disa orë më vonë në rrugën “Irini” në Agia Paraskevi, aty ku profesori do të merrte fëmijët. Aty ai e qëlloi dhe u largua në këmbë.

Autori 35-vjeçar dyshohet se e hodhi armën (një pistoletë tip “TT”) dhe rrobat që kishte veshur në kazanët e plehrave. Më pas, ai udhëtoi me autobus dhe taksi për në Nafplio për të ndërtuar alibinë e tij, ndërkohë që telefonin celular ia kishte lënë bashkëpunëtorit bullgar për të krijuar përshtypjen se ndodhej jashtë Athinës.

Ngjarja nisi të zbulohej kur policia greke identifikoi makinën me qira të bashkëpunëtorëve të autorit përmes kamerave të sigurisë dhe më pas i arrestoi ata. Sipas autoriteteve, pas arrestimit, dy shqiptarët nisën ta shantazhonin autorin, duke i kërkuar 40.000–50.000 euro në këmbim të heshtjes së tyre.

Një detaj që ka shkaktuar ndjeshmëri të veçantë është përfshirja, pa dijeninë e tij, e djalit 14-vjeçar të autorit, i cili u përdor si ndërmjetës në komunikimet mes çiftit. Atij i ishte dhënë një telefon celular përmes të cilit dy të pandehurit kryesorë shkëmbenin mesazhe dhe udhëzime.

Przemyslaw Jeziorski, 43 vjeç, ekonomist dhe profesor marketingu në Shkollën e Biznesit Haas të UC Berkeley, u qëllua disa herë nga afër në një periferi banimi të Athinës dhe vdiq në vendngjarje.

Përpara se t’i bashkohej stafit në Berkeley, Jeziorski, me origjinë polake, punoi si profesor asistent i ekonomisë në Universitetin Johns Hopkins dhe si studiues i jashtëm në Microsoft. Ai mori doktoraturën në analiza ekonomike nga Stanford dhe mori diploma masteri nga Universiteti i Arizonës dhe Shkolla e Ekonomisë e Varshavës në Poloni.

Jeziorski kishte botuar punime në shumë revista akademike të nivelit të lartë, duke përfshirë American Economic Journal dhe RAND Journal of Economics. Ai ishte gjithashtu bashkëthemelues i një startup-i të quajtur Keybee, një platformë për menaxhimin e pronave me qira afatshkurtër.