22 vatra zjarri janë raportuar deri në 18:00, nga të cilat 11 janë aktive.

Njoftimi i ministrisë:

Nga të dhënat e Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në AKMC, deri në orën 18:00 janë raportuar 22 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar 11 dhe janë aktive 11.

Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në:

* Në bashkinë Korçë.

* Në “Bypass-in e Vlorës”, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë.

* Në Vish, në bashkinë Himarë.

* Në Qeparo, bashkia Himarë.

* Në fshatin Borsh, njësia administrative Lukovë, bashkia Himarë.

* Në fshatin Mborje, njësia administrative Drenovë, bashkia Korçë.

* Në fshatin Borsh, njësia administrative Lukovë, bashkia Himarë.

* Në fshatin Karpen, njësia administrative Golem, bashkia Kavajë.

* Në fshatin Velçë, njësia administrative Brataj, bashkia Selenicë.

* Në fshatin Karpen, njësia administrative Maminas, bashkia Shijak.

* Në fshatin Çerkezë-Morinë, njësia administrative Zall-Herr, bashkia Kamëz.

Aktualisht, janë aktive vatrat në:

1. Qarku Dibër

Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, njësia administrative Lurë, bashkia Dibër ku vazhdon aktiv zjarri i rënë në datë 07.07.2025, i cili po zhvillohet në dy vatra. Një vatër po zhvillohet në drejtim të Lurës, rreth liqenit të Zi dhe po punohet nga forcat operacionale. Terreni i keq ka vështirësuar përpjekjet për ta vënë zjarrin nën kontroll. Ndërsa vatra tjetër po zhvillohet në pjesën e sipërme të vatrës nga krahu i Gurë Lurës është mbyllur pjesërisht pasi digjen trungje brenda vatrës. Në operacion për shuarjen e zjarrit janë angazhuar 30 forca nga organet vendore dhe 30 forca nga FA.

2. Në njësinë administrative Shupenzë, bashkia Bulqizë, vazhdon aktiv në një vatër me intensitet të ulët zjarri i riaktivizuar më datë 13.07.2025, i cili është spostuar nga “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan. Ditën e sotme në terren ndodhen 9 efektivë me 1 automjet zjarrfikës nga MZSH dhe 4 forca nga Shërbimi Pyjor.

3. Në fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat. Ka rënë zjarr në një zonë të thepisur, që vështirëson ndërhyrjen. Në vendngjarje ndodhen rreth 30 forca bashkiake dhe 30 efektivë nga FA. Në vendndodhje po operon edhe 1 helikopter i FA.

4. Në fshatin Dovolan, njësia administrative Maqellarë, bashkia Dibër. Zjarri po zhvillohet në anën lindore të fshatit në pyje dushku, ferra e shkurre, por jo shumë larg disa banesave. Po punohet me 1 automjet zjarrfikës me 6 efektivë.

5. Qarku Fier

Në fshatin Belishovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, vazhdon aktive vatra e zjarrit të ardhur nga fshati Drenovë, i cili është riaktivizuar më datë 14.07.2025. Vatra e zjarrit ka marrë zgjerim të perimetrit. Në vendngjarje për shuarjen e tij po punojnë 35 forca zjarrfikëse me 2 automjete zjarrfikëse nga bashkia Mallakastër, 4 forca zjarrfikëse me 1 automjet nga bashkia Fier, 10 forca zjarrfikëse me 2 automjete nga Albpetrol, 10 efektivë me 2 automjete zjarrfikëse nga FA dhe 30 efektivë me 2 mjete nga Regjimenti i Këmbësorisë së Jugut.

6. Qarku Vlorë

Në Sotiran, në vendin e quajtur “Qafa e Shëngjergjit”, mbi fshatin Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë. Zjarri është shumë intensiv. Digjen shkurre dhe fier poshtë pyllit me pishë. Flakët të ndihmuara nga era kanë përfshirë edhe kurorën e pishave. Në terren po punojnë 17 efektivë të MZSH, 5 forca nga Shërbimi Pyjor dhe 7 forca bashkiake.

7. Qarku Elbasan

Në fshatin Shmil njësia administrative Labinot-Mal, bashkia Elbasan, në kufi me fshatin Gurakuq, njësia administrative Orenjë, bashkia Librazhd. Zjarri ka rënë në pyll gështenje. Terreni vështirëson ndërhyrjen.

8. Në kodër Kraste, bashkia Elbasan.

9. Qarku Lezhë

Në fshatin Tenë, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë, në një sipërfaqe me shkurre. Në vendngjarje ndodhet ekipi zjarrfikës.

10. Qarku Durrës

Në fshatin Zallë, njësia administrative Fushë – Krujë, bashkia Krujë. Në vendngjarje ndodhet automjeti zjarrfikës me grupin e shërbimit, punonjës të Emergjencave Civile.

11. Në bashkinë Shijak afër Parkut të Kamionëve Pelikani në bimësi të ulët. Është duke u punuar nga forcat zjarrfikëse.