Një vatër e re zjarri u raportua mëngjesin e sotëm, 28 korrik, në fshatin Dukat-Fushë (Vlorë), duke përfshirë një sipërfaqe të madhe toke.

Siç raportohet, erërat e forta dhe temperaturat e larta po favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve drejt banesave.

Forcat zjarrfikëse po punojnë në terren, por terreni i vështirë dhe përmasat e flakëve e bëjnë të vështirë fikjen. Situata mbetet kritike në jug, veçanërisht në aksin Sarandë-Konispol dhe në zonat Dukat, Sherishtë, Kaninë, Senicë, Sasaj, Markat dhe Vërgo.

Në një postim të fundit, ministri i Mbrojtjes Civile, Pirro Vengu, njofton se strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura janë angazhuar në qarqet Vlorë, Dibër dhe Korçë për përballimin e zjarreve në pyje dhe kullota, ku rreziku mbetet i lartë.

Ai apelon për kujdes maksimal dhe ndalim të zjarrvënieve në natyrë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar gjithsej 34 vatra zjarri në zona të ndryshme të Shqipërisë. Sipas të dhënave më të fundit zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht 17 vatra janë ende aktive, 6 janë nën monitorim dhe 11 janë shuar plotësisht.