Nga Hermes Kafexhiu
Në Shqipërinë ku drejtësia ka marrë pushime të gjata dhe paraburgimi është bërë një formë torturë me kohë të pacaktuar, na vjen një letër me aromë “kafkiane” (siç ajo vetë e quan) nga nëna e kryebashkiakut, zonja Shqiponja Veliaj. Letra është njerëzore mbi të gjitha, po unë nuk do merrem me anën emocionale të saj.
Në letër, shqetësimi për arrestimin dhe mbajtjen në paraburgim të djalit të saj, Erion Veliaj, nuk e ka origjinën te SPAK, pavarësisht se ajo e ka qartësuar që bashkohet me misionin e këtij institucioni por në thelb e ka tek prokurori i çështjes. Edhe pse është treguar qytetare dhe se ka personalizuar letrën e saj, nëna e Veliajt qartazi e ka mesazhin e saj për Brukselin, se këtu në vendin tonë, në emër të Reformës në Drejtësi dhe idealit të saj, ka disa kodosh që fshihen nën xhaketën e prokurorit të SPAK dhe bëjnë karshillëk gjasme sikur kanë shtuar statistika suksesi sepse kanë futur ca ‘pecogroso’ për fustane grash. Ajo e ka me Olsi Dadon.
Po pra, ai vetëproklamuar “mbrojtës i ligjit” që po shkel çdo standard bazik, sepse ja ku e kemi problemin ka konflikt interesi, diçka që në fjalorin e drejtësisë do të thoshte, dorëheqje e menjëhershme.
Le të flasim qartë, në vend që SPAK-u të ishte krenaria e reformës në drejtësi, kjo letër na zbulon se ai është thjesht skena ku një prokuror me konflikt interesi i mban peng njerëzit. Dhe kjo, në një vend që pretendon të hyjë në BE! Ku do ta gjejmë më qesharaken?
Nuk e kupton dot përse kjo nuk po publikohet hapur? Sepse politika dhe interesat personale shpesh janë më të forta se ligji.
Andreas Schieder, kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, ka bërë më shumë se njëherë apel për një çështje thelbësore, ‘Koha e paraburgimit në Shqipëri është e gjatë dhe e padrejtë, ajo shkatërron jetë pa gjyq të drejtë dhe pa transparencë.’
Ai na kujton se “procesi gjyqësor duhet të jetë i shpejtë dhe efektiv,” por si duket këtu nuk ka dëgjuar askush, përveç kur filtron nëpër letra të heshtura dhe letërsi për ndihmë familjare.
Një sistem që mban në burg qytetarë të pafajshëm, siç është rasti i Erionit dhe që pastaj justifikohet me “pretendime anonime” të mbledhura në mënyrë katastrofike si ato thashethemet e grave të Gjirokastrës në librat e Kadaresë?
Për shqiptarët që përjetojnë makthin e burgut pa akuza dhe pa shpresa për një gjykim të drejtë. Për ata që Europa i sheh me dyshim për shkak të këtyre padrejtësive.
Nëse Shqipëria dëshiron të ecë përpara në rrugën e integrimit, ajo duhet të fillojë duke adresuar problemin më thelbësor, luftën kundër konfliktit të interesit brenda vetë SPAK-ut, ndalimin e paraburgimeve të gjata dhe shndërrimin e gjykatave në institucione reale të drejtësisë, jo laboratorë skandalesh dhe pazaresh politike.
Zonja Veliaj, ndonëse fjalët tuaja janë të ngrohta dhe plot dashuri për djalin, mos harroni se përgjegjësia juaj nuk është vetëm për një individ, por për gjithë vendin. Kur SPAK-u kapet në kurth nga konfliktet e brendshme, të gjithë ne vuajmë.
Kjo nuk është thjesht një çështje personale, është sinjali i një sistemi që ka nevojë të shkundet fort, përndryshe Europa do të vazhdojë të na shohë si rastin e dështimit në Reformën në Drejtësisë, gjë e cila nuk mendoj do të ndodh. Pavarësia ka arritur të ndërtoj institucionin, tani do duhet vetëm të pastrohet nga mbetjet e së kaluarës.
Pra, zonja Shqiponja Veliaj, në letër ta thuash qartë, shqetësimin e djalit tënd nuk e ka sjellë SPAK, por Olsi Dado me konfliktin e tij të hapur të interesit.
Edhe ky është problemi që duhet të trajtojmë, sepse vetëm kështu edhe ata do mund ta kuptojnë siç ka ndodhur në vendet e tyre dikur, kur ndërrmorën këtë reformë që morëm ne para 10 vitesh, edhe aty mbetën ca prokurorë e gjyqtarë që i shpëtuan valës së parë dhe pastaj u skarcuan.
*Sqarim për lexuesin e vëmëndshëm, çështja e konfliktit të interesit që është trajtuar dhe për Elsa Ullirin është po me të njëjtin theks që ajo do duhej të dorëhiqej, duke i qëndruar intepretimin se dorëhqeqja e saj ka natyrë tjetër ashtu si dhe qëndrimi i këtij prokurori ka një kontekst tjetër të lidhur mbi ngjarjen.