Nuk jemi tamam të qartë se çfarë e detyroi ish kryeministrin demokrat Sali Berisha që më në fund ta pranojë publikisht se vrasja e 4 demonstruesve të opozitës së atëhershme më 21 janar 2011 në mes të bulevardit përballë kryeministrisë ishte një vrasje shtetërore!

Ishim mësuar ndër vite e vite me deklaratat e tij, sipas të cilave ai kishte mbrojtur institucionin e kryeministrisë, ndonëse në të gjithë literaturën botërore godina nuk është institucion por tulla e llaç dhe për këto raste ka rregullore se si duhet të veprohet kur titullari nuk është në seli apo kur është në seli, ku dhe evakuohet menjëherë. Për hir të së vërtetës Berisha ishte jashtë godinës kur u mbodhën protestuesit, por këmbënguli që të hynte në ‘kullë’, madje i provokonte dhe nga dritarja e kryeministrisë ata, duke e ndërlikuar situatën. Ka dhe foto për këtë! Megjithatë, nënvizojmë se godina s’është ‘kulla’ e asnjë kryeministri! Janë të përkohëshëm aty, venë e vijnë!

Berisha nëpër studiot televizive, janë me zë e figurë dhe gjenden lehtë videot, ka deklaruar se mund të vriste jo 3 por dhe 3 mijë demonstrues, nëse kalohej gardhi i godinës së kryeministrisë, gardh që sot nuk ekziston më. Madje kishte kërcënuar dhe ish kreun e opozitës së atëhershme Edi Rama, sot kryeministër i vendit, se nëse do të bënte një hap para më 21 janar, se kishte urdhëruar 4 snajperë që ishin pozicionuar në tarracën e kryeministrisë, që ta qëllonin në kokë! Kreun e opozitës me një fjalë! Dhe urdhërin e kishte dhënë ai, vetë Sali Berisha!

Pasi është mburrur për vite me radhë e ka dhënë një material të mjaftë dhe për prokurorin më të thjeshtë në këtë vend, që do të shërbente dhe si indicie që të niste një hetim penal ndaj ish kryeministrit të këtij vendi për urdhërdhënie për vrasje politike deri të kreut të opozitës, dhe njëherësh pasi është përballur me vendimin e troçtë të Strasburgut që e ktheu çështjen e cila ka kaluar në SPAK tashmë, duke kërkuar hetimin e dërgimin për gjykim të atyre që dhanë urdhërin për këtë masakër, si dhe pasi është përballur me faktin se prokurorët e SPAK sado xhan ta kenë Berishën nuk kanë nga të luajnë pa e kopsitur dhe zyrtarisht dosjen e ’21 janarit’, e ardhur e kopsitur thuajse nga Strasburgu, Berisha më në fund ka pranuar se është vrasje shtetërore ‘21 janari’! Më mirë vonë se kurrë! Por i ka nxjerrë një ‘bisht’!

Madje është munduar që të japë një shpjegim ‘alla Berisha’ se përse ai e quante krim shtetëror vrasjen e 4 demonstruesve të opozitës më 21 janar! Teksa ka deklaruar se ata janë vrarë nga punonjësit e shtetit, pra Garda e Republikës, Berisha u mundua të bëjë specialistin e balistikës, duke nënvizuar faktin se mund të ketë dhe plumb rikoshet, pra pa qëllim dhe jo me dashje!

Ish kryeministri, sot kreu i PD, e bën shpjegimin sipas realitetit të tij paralel kur krimi shtetëror bëhet me dashje apo pa dashje. Sipas tij, vrasja në bulevard e demonstruesve nga Garda nuk quhet krim shtetëror me dashje, pasi për të, ‘ka klasifikim krimi shtetëror. Krimi shtetëror me dashje ka rregullat e veta kur quhet, kur shteti e merr të pafajshëm dhe i pushkaton. Kur shteti jep urdhër këtë-këtë, kur s’duhet ta bëjë kurrë atë.

Krim shtetëror pa dashje është kur ndodh nga rikosheta, ndodh nga detyra, sepse Garda ka patur një ligj. Unë e kam thënë 5-6 vjet para, që është krim shtetëror, krim shtetëror pa dashje”. Janë shpjegimet allasoj të Berishës këto, për të justifikuar krimin shtetëror me shumë dashje madje, më 21 janar 2011, anipse atë ditë ai këto vrasje i quajti si vrasje mes vedi të demonstruesve, madje dhe duke dhënë shpjegime përmes videove që publikonte para mediave, se si njeriu i thinjur atyre afër, me çadër pistoletë qëlloi shokun e gjëra të tjera të këtij lloji! Derisa sa doli videoja që tregonte gardistët duke qëlluar e vrarë demonstruesit e pafajshëm, jo në momentin e përplasjes, por teksa shpërndaheshin!
Por në fund Berisha doli aty ku donte, pikërisht aty ku kishte nevojë të dilte, tek urdhërdhënia. I shqetësuar nga fakti se Gjykata e Strasburgut kërkon në mënyrë të prerë pikërisht hetimin dhe dënimin e atyre që kanë dhënë urdhërin për të qëlluar në ‘mish’ mbi turmën, Berisha deklaron se “nuk ka patur absolutisht asnjë urdhër”! Kundërshton pikërisht atë që asnjë prokuror i SPAK nuk mund ta shmangë. Pra, dhënien e urdhërit për të qëlluar, pasi Garda nuk qëllon pa urdhër. Ka dhe përgjime për dhënien e këtij urdhëri, kush tha ‘qëlloni në mish’, urdhër që dëgjohet në mënyrë lineare në kasetën që është bërë publike, dhe ku kjo kasetë është duke u hetuar nga SPAK!

Dhe sipas ligjit apo të gjitha rregulloreve, në një institucion të lartë, urdhëri jepet nga titullari më i lartë në institucionin ku ka përplasje, në atë rast ishte ish kryeministri Berisha në godinën e kryeministrisë. SPAK le të zbardhë se si prevaloi urdhëri nga ish kreu i qeverisë te ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha, si e ‘përthithi’ urdhërin me dhunë ish kreu i Gardës Ndrea Prendi, kush e rrahu Prendin teksa u shfaq me hematoma në sy dhe kush ia mori pisoletën për të qëlluar në turmë ‘në mish’, duke i marrë jetën një demonstruesi, kush ia ndërroi ‘veglat’ pistoletës më pas, kush i hoqi dhe fshiu kamerat e sigurisë, kush i zhduku provat, kush e paralizoi policinë e prokurorinë, kush e quajti grusht shteti e lëshoi akuzat me ‘lavire bulevardi’ për kryeprokuroren e asaj kohe dhe ‘horr bulevardi’ për presidentin e asaj kohe, kush ngriti komision hetimi, kush i detyroi mjekët të thonin se ishin qëlluar nga afër viktimat dhe gjëra të tjera të këtij lloji!

Teksa Berisha po tenton që të mbrohet pikërisht në linjën e krimit shtetëror, pa qëllim apo pa dashje, ndryshe mendon Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, apo Gjykata e Strasburgut siç dëshirojmë ta quajmë shkurt ne shqiptarët, edhe për t’i dhënë forcë vendimeve të kësaj gjykate! Në nëntor 2023, ‘Strasburgu’ e detyroi Shqipërinë që të zbulonte përgjegjësit e vërtetë të krimit shtetëror të 21 janarit 2011, specifikisht ata të cilët urdhëruan Gardën të qëllojë me armë zjarri ‘në mish’ ndaj turmës së protestuesve të opozitës. Në vendimin prej 48 faqesh të ‘Strasburgut’ sqarohet qartë se pretendimi i Berishës se krimi shtetëror ka qënë pa dashje është absurd, teksa në vendim thuhet se gjatë hetimeve u zbulua që në gardhin para Kryeministrisë janë konstatuar shenja plumbash. Gjykata ngrinte dyshime të forta që shenjat mund të vërtetojnë faktin se gardistët kishin qëlluar drejt turmës dhe një pjesë e mirë e plumbave janë ndalur nga gardhi. Pra jo me rikoshet siç pretendon ish-kryeministri, por ‘drejt e në mish’ sipas urdhërit dhe që mund të kishte shkaktuar më shumë viktima, nëse nuk do të ishte gardhi si ‘mburojë’ natyrale për protestuesit. Gjykata e Strasburgut e bën të qartë se është dhënë urdhër për të vrarë dhe drejtësia në Shqipëri duhet të hetojë e të dërgojë për gjykim të gjithë ata që kanë dhënë, si dhe përcjellë këtë urdhër të përgjakshëm! S’ka vend këtu për ‘plumba rikoshet’ këtu!

E thënë më thjeshtë, vrasjet më 21 janar 2011 janë krim shtetëror me dashje, me urdhër, sepse Garda nuk qëllon me plumba të vërtetë pa urdhër, janë vrasje të qëllimshme dhe jo nga ‘plumba qorr’, sikurse kërkon të justifikohet Berisha, për t’i dhënë drejtim tjetër hetimit të SPAK, përmes pranimit të një gjysmë të vërtete për të shpëtuar nga akuza e rëndë për tërë krimin në total. Ne kemi besim se SPAK do ta hetojë me seriozitet këtë krim, i cili po shihet dhe si ‘test’ për një drejtësi të vërtetë në Shqipëri, për një drejtësi e cila ka mbështetjen e shqiptarëve, partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe mbi të gjitha ka ‘thithur” e “thith’ miliona euro mbështetje në të gjitha planet. Janë lekë të hedhura nga arka e shtetit shqiptar, nga taksat tona, prandaj, duam që hetimi dhe më pas gjykimi të jetë i drejtë dhe sipas ligjit, për t’i dhënë ‘hakun’ që i takon secilit që ka gisht në vrasjet e 21 janarit 2011.

Janë 4 jetë njerëzish të marra nga shteti, jo pa dashje por me qëllim!
Përfundimisht, në vitin e 15-të të masakrës shtetërore të ‘21 janarit’, ku plumbat e Gardës morën jetën 4 protestuesve në Bulevard, dosja më e bujshme që nga viti 1990, ndodhet tashmë prej më shumë se një viti në duart e SPAK. Pati ‘pirueta’ dhe kundërshti nga SPAK, e shoqëruar me një lojë ‘ping-pongu’ për të mos e marrë nën hetim këtë dosje të ‘nxehtë’, por më në fund kalimi në SPAK erdhi vetëm pasi u urdhërua nga Gjykata e Strasburgut. Nga 15 korriku i vitit të kaluar, dosja e një prej të vrarëve të 21 janarit, Aleks Nikës mbërriti nga Prokuroria e Tiranës në SPAK, institucioni i vetëm që ka juridiksionin e fuqinë e që mund dhe duhet të zbardhë rolin e Berishës, kryeministrit të ‘21 janarit’, Lul Bashës, ministrit të Brendshëm të ‘21 janarit’, kreut të Gardës, Ndrea Prendi dhe të çdo zyrtari të lartë të përfshirë në këtë krim shtetëror, vrasje me dashje me plot gojën mund të thuhet. Ka dhe të ‘penduar’ nga Garda e politika që kanë folur, ka dhe prova të reja që janë marrë nga SPAK i cili thuhet se po i heton. Të paktën kështu besojmë!

Prandaj SPAK e regjistroi zyrtarisht procedimin penal për 3 vepra penale, që janë: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” kryer në bashkëpunim. SPAK tha kohë më parë se ‘21 janari’ është në kompetencën e tij pasi dyshohet se veprat penale mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë, gjatë ushtrimit të detyrës. Akuzat janë ngritur pikërisht mbi atë që ‘Strasburgu’ urdhëroi: Të zbulohen ata që dhanë urdhrat për vrasjet, pse Berisha pengoi hetimet, pse mashtroi me kamerat e sigurisë, pse nuk e dorëzoi zinxhirin drejtues të Gardës e policisë në prokurori dhe kush vrau Aleks Nikën e Hekuran Dedajn, që kanë mbetur pa autor. Mund të hetohet dhe përse Berisha dërgoi një çantë me para te vëllezërit e njërit prej viktimave, të cilët e refuzuan me neveri! Meqë Berisha thotë se ishte një krim shtetëror, por pa dashje, pse duhej të afronte para për të mos folur!

Tashmë ‘topi’ është në duart e SPAK për të hetuar këtë vrasje shtetërore, të pranuar dhe nga vetë Berisha më në fund. Thjeshtë mund ta fillojë duke pyetur Berishën në fillim, ta thërrasë njëherë se nuk bëhet kiameti! Pastaj le të marrë Bashën për ta pyetur, jemi të sigurtë se ai do të ‘bilbilojë’ Pastaj tërë të tjerët pas tyre! S’mund të kalojë vrasja e katër demonstruesve në mes të bulevardit përballë kryeministrisë, thjeshtë dhe vetëm me 4 vite burg për një gardist dhe kreun e Gardës. Ka dhe më. E kërkon Strasburgu, e me sa duket dhe Berisha e ka parandierë se asnjë prokuror i posaçëm nuk mund ta shmangë përgjegjësinë e ish kryeministrit në këto vrasje! Sado me qëllim të mirë ka qënë dhe është në drejtim të tij! Ndaj Berisha po nxiton ta ‘orientojë’ nëpër kanale të tjera akuzën për urdhër-dhënie të Gardës që të vrasë më ‘21 janar’! Sipas teorisë ‘prano një gjë të vërtetë, por modifikoje e rrethoje me disa të pavërteta’. 4 demonstruesit e opozitës së atëhershme nuk u vranë me plumba ‘qorr’, ata u vranë me urdhër nga lart, dhe me plumba të vërtetë, duke u qëlluar ‘në mish’ nga Garda! Sado që të zgjatet kjo çështje, ajo s’mund të mbyllet më! Eshtë Gjykata e Strasburgut në mes! Nuk të lë të lëvizësh asnjë një centimetër!