Sali Berisha deklaroi sot se vrasjet e 4 protestuesve më 21 janar ishin krim shtetëror, por pa dashje.

Për juristin Kreshnik Spahiu, kjo ishte një deklaratë e mirëmenduar nga Berisha, në një kohë që SPAK po e heton dosjen e “21 Janarit”.

Në një intervistë për emisionin “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, Kreshnik Spahiu e pa situatën nga një këndvështrim tjetër.

Ai ka shtruar pyetjen se si do të reagonte Sali Berisha nëse në opozitë ai do të organizonte një protestë të tillë, dhe pushteti i Kryeministrit Rama të kishte vrarë 4 protestues në shesh?

“Berisha i referohet vendimit të gjykatës dhe thotë është krim shtetëror, por është pa dashje. Sepse prokuroria në atë periudhë, dhe vetë Altin Dumani ka qenë prokuror i çështjes që ka kërkuar që vrasja e 21 janarit të konsiderohej vrasje krim shtetëror, por vrasje e cilësuar. Ndërsa gjykata me shumicë 2 me 1 në Gjykatën e Apelit, ka vendosur që të jetë vrasje nga pakujdesia.

Trajtimi politik dhe juridik janë dy gjëra të tjera. Tani unë ngre pyetjen: Nëse Berisha do të ishte në pozita protestuese, dhe do dilte si kryetar opozite të protestonte përpara zyrës së Kryeministrit Rama dhe Garda e Edi Ramës do vriste 4 protestues të demokratëve, Sali Berisha si kryetar opozite do i konsideronte vrasjet që bën Edi Rama nga zyra e tij vrasje nga pakujdesia apo do akuzonte Ramën si organizator i narkoshtetit, kriminel që vrau protestues?

Sigurisht që Berisha ka një qasje tjetër dhe mbron interesat personale, por në këtë rast i referohet një vendimi të gjykatës i cili në një periudhë të caktuar është tërësisht i favorshëm. Pse? Sepse do ta orientojë prokurorinë në një çështje të gjykuar. Pra, nëse prokuroria vazhdon heton provat për vrasjen nga pakujdesia, kjo është një çështje e mbyllur. Pse? Se gjykata ka dhënë vendim të formës së prerë. Nëse SPAK ka prova të tjera nga hetimi paraprak që hedhin dritë për vrasjet atëherë kemi një çështje të re që hapet nga e para për një trajtim të ri nga ana e drejtësisë penale dhe për procedime të tjera, për marrje të tjera në pyetje”, u shpreh Kreshnik Spahiu.