Nga Eduard Zaloshnja/

“A mendoni se hapësirat publike që po çlirohen do të ripushtohen me kalimin e kohës?” – kjo ishte pyetja kryesore e pyetësorit, linkun e të cilit e shpërndava me 2000 sms krejt të rastësishme në gjithë territorin e vendit.

Është një pyetje legjitime të bëhet në prag të Rilindjes Urbane 2.0, ngaqë hapësirat publike u ripushtuan pas Rilindjes Urbane 1.0.

Por duket se besimi tek vendosmëria e Ramës për suksesin e Rilindjes Urbane 2.0 është i lartë, pavarësisht zhbjerrjes se versionit 1.0.

Kështu, plot 70% e të anketuarve mendojnë se nuk do ketë më ripushtim të hapësirave publike të çliruara. Vetëm 26% mendojnë se do ketë një ripushtim (pothuaj krejtësisht votues opozitarë). Kurse 4% janë të dyzuar (përqindjet i kam rrumbullakosur për lehtësi leximi).

Fakti që 70% e shqiptarëve të këtushëm besojnë në vendosmërinë e Ramës për t’i disiplinuar hapësirat publike i var atij mbi shpinë një barrë të rëndë politke. Të paktën deri më 2030, nuk duhet të lindë nevoja për një Rilindje Urbane 3.0…