Prej dy ditësh, në rrjetet sociale kanë qarkulluar foto të ish-kryeministrit Sali Berisha gjatë një vizite në Kosovë. Në të gjitha fotot e publikuara, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, nuk lë pa shfaqur dhe veten, duke u bërë kështu dhëndri i parë në republikë që ka këtë adhurim të posaçëm ndaj babait të bashkëshortes.
Prania e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë ngre një pyetje me rëndësi: a ka marrë Malltezi një leje të posaçme nga SPAK apo nga gjykata për këtë udhëtim jashtë vendit?
Malltezi ndodhet nën gjykim për çështjen e njohur si “Kompleksi Partizani” dhe deri më 7 korrik 2025 ishte në “arrest shtëpie”.
Në atë datë, GJKKO vendosi ta zëvendësojë këtë masë me garanci pasurore prej 3 milionë lekësh, duke e lënë të gjykohet në gjendje të lirë.
Sipas nenit 236 të Kodit të Procedurës Penale, lirimi me garanci pasurore është një alternativë ndaj arrestit, por nuk heq automatikisht kufizimet mbi lirinë e lëvizjes. Gjykata mund të vendosë masa shtesë, përfshirë ndalimin e daljes jashtë shtetit (neni 232, pika 1, germa “a”), për të garantuar se i pandehuri nuk shmanget nga drejtësia.
Vendimi i zbardhur i 7 korrikut nuk përmend dhënie lejeje për udhëtim jashtë vendit, dhe deri më tani nuk ka asnjë raportim publik apo akt gjyqësor që të tregojë se Malltezi ka marrë një autorizim të tillë.
Kjo e lë të hapur pyetjen thelbësore: nëse udhëtimi i tij në Kosovë është bërë me miratimin e organeve të drejtësisë apo në mungesë të një vendimi të posaçëm?/TemA