13 kryetarët e rinj të njësive administrative në Fier u prezantuan këtë të martë. Zv.kryeministrja Belinda Balluku kërkoi më shumë angazhim në forcimin e administratës lokale, edhe në përmbushje të angazhimit ndaj qytetarëve, të cilët në 11 maj, i dhanë socialistëve 12 deputetë në qarkun e Fierit.

“Duhet te keni në ekipe djem edhe vajza që i përgjigjen teknologjisë. Duhet të ofrojmë shërbime që të moshuarit apo të tjerë nuk i marrin dot nëpërmjet telefonit. Siç është rasti i E-Albania kur shumë noterë abuzojnë me të duke e ofruar si shërbim me pagesë. Fakti që qeveria shqiptare është votëbesuar më shumë, kryesisht në qarkun e Fierit na bën neve akoma edhe më të përgjegjshëm. Ashtu siç ata na votëbesuan ashtu duhet t’ja kthejmë ne me punën tonë”, u shpreh Balluku.

Balluku tha se prioritet duhet të jetë lirimi i hapësirave publike edhe pse në Fier problematikat janë më të pakta se në qytetet e tjera.

“Duhet të jeni në lartësinë e duhur sepse lirimi i hapësirave publike në Fier, nuk ka të njëjtën problematikë si në zona të tjera, situate është shumë e mirë. Por sërish ka ankesa nga qytetarët e ne po i procesojmë që kanë të bëjnë me parkingjet e pallateve. Edhe vetë fakti që qytetarët e mbështesin reformën për lirimin e hapësirave publike, ju duhet ta keni prioritet në punën tuaj”, ka thënë ajo.

Paralelisht edhe kryeministri Edi Rama publikoi disa pamje nga heqja e tendave të vendosura në trotuare, ndërsa thekson se aksioni do të vijojë pa ndërprerë deri në lirimin e të gjithë hapësirave të zaptuara.