Personeli i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka zhvilluar së fundmi takime me deputetët e sapozgjedhur të Kuvendit të Shqipërisë, pak para nisjes së legjislaturës së re.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane bën të ditur se qëllimi i këtyre takimeve ishte të dëgjoheshin shqetësimet dhe përparësitë e komuniteteve që përfaqësojnë këta deputetë.
“Së fundmi, personeli i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara u takua me anëtarë të sapozgjedhur të Kuvendit për të kuptuar shqetësimet e komuniteteve të tyre dhe përparësitë në prag të fillimit të mandatit,” thuhet në njoftimin zyrtar të ambasadës.
Përfaqësuesit diplomatikë amerikanë theksojnë gatishmërinë për të punuar me të gjitha forcat politike në vend, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes dy vendeve.
“Ne presim me kënaqësi të punojmë me përfaqësues të zgjedhur nga i gjithë spektri politik për të vijuar partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë,” shton ambasada në postim.