Donald Trump, njoftoi të mërkurën se kompania teknologjike Apple do të investojë edhe 100 miliardë dollarë në SHBA një lëvizje që mund ta ndihmojë kompaninë të shmangë tarifat e mundshme mbi iPhone-t e prodhuar jashtë vendit.
Me këtë angazhim të ri, totali i investimeve të planifikuara nga Apple në SHBA arrin në 600 miliardë dollarë për katër vitet e ardhshme. Në fillim të këtij viti, Apple kishte deklaruar se do të investonte 500 miliardë dollarë dhe do të punësonte 20 mijë punonjës në të gjithë vendin gjatë kësaj periudhe.
Plani i investimit synon të zgjerojë zinxhirin e furnizimit dhe kapacitetet e prodhimit të avancuar të Apple në territorin amerikan, ndonëse nuk përmbush ende kërkesën e vazhdueshme të Trump që iPhone-t të prodhohen tërësisht në SHBA.
“Kompanitë si Apple po kthehen në shtëpi. Të gjithë po kthehen,” tha Trump për gazetarët nga Zyra Ovale, pak pasi CEO i Apple, Tim Cook, i dhuroi një suvenir të prodhuar në SHBA me bazë ari 24 karatësh.
“Kjo është një hap i rëndësishëm drejt objektivit përfundimtar që iPhone-t që shiten në Amerikë të prodhohen edhe në Amerikë,” shtoi Trump.
I pyetur nëse Apple do të prodhojë ndonjëherë të gjithë iPhone-t brenda SHBA-së, Cook theksoi se shumë komponentë, si gjysmëpërçuesit, xhami dhe moduli Face ID, tashmë prodhohen në SHBA, por pranoi se montimi përfundimtar “do të vazhdojë të bëhet jashtë vendit për një kohë”.
Megjithëse angazhimi financiar është i madh, analistët vlerësojnë se investimi përputhet me ritmin e zakonshëm të shpenzimeve të Apple dhe ngjan me premtime të ngjashme të bëra gjatë administratës Biden dhe mandatit të mëparshëm të Trump.
Në muajin maj, Trump kishte kërcënuar me një tarifë prej 25% mbi produktet e Apple të prodhuara jashtë vendit një ndryshim i papritur nga politika e mëparshme, kur administrata e tij kishte përjashtuar smartphone-t, kompjuterët dhe pajisje të tjera elektronike nga raundet e tarifave ndaj mallrave kineze. Sipas të dhënave financiare, tarifat e vendosura më parë i kushtuan Apple rreth 800 milionë dollarë vetëm në tremujorin e dytë të vitit.
“Ky është një hap i mirë për Apple dhe një mënyrë për të përmirësuar raportet me Trump pas muajve të tensionuar mes kompanisë dhe Shtëpisë së Bardhë,” u shpreh analisti Daniel Ives nga Wedbush Securities. Sipas tij, Apple ka një histori të përzier sa i përket realizimit të premtimeve të investimit.
Në vitin 2019, për shembull, Tim Cook vizitoi një fabrikë në Teksas së bashku me Trump, e cila u promovua si një objekt i ri prodhimi. Por rezultoi se kjo fabrikë prodhonte kompjuterë Apple që prej vitit 2013, dhe më vonë Apple zhvendosi këtë prodhim në Tajlandë.
Apple vazhdon të prodhojë pjesën më të madhe të produkteve të saj përfshirë iPhone-t dhe iPad-ët në Azi, kryesisht në Kinë, megjithëse vitet e fundit ka zhvendosur pjesë të prodhimit në Vietnam, Tajlandë dhe Indi.
Pavarësisht presionit politik, analistët janë të një mendimi se ndërtimi i iPhone-ve në SHBA mbetet jo realist, për shkak të kostove të larta të fuqisë punëtore dhe kompleksitetit të zinxhirit global të furnizimit.
“Sot kemi një zgjidhje të zgjuar ndaj kërkesës së presidentit që Apple të prodhojë të gjitha iPhone-t në SHBA,” tha Nancy Tengler, drejtore ekzekutive dhe investimeve në Laffer Tengler Investments, kompani që zotëron aksione në Apple.