Një shtetas shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik emigrantësh, është arrestuar nga autoritetet italiane në qytetin e Astit. Mediat italiane raportojnë se arrestimi u realizua pas një kontrolli rutinë nga Njësia e Imigracionit pranë Komisariatit të Policisë në këtë qytet.

I dyshuari ishte subjekt i një urdhër-arresti evropian të lëshuar nga Gjykata e Drejtësisë në Tiranë dhe për një kohë të gjatë kishte qëndruar në Itali nën një identitet të dyshimtë, duke tentuar të përfitonte leje qëndrimi.

Hetimet e mëvonshme zbuluan se ai ishte pjesë e një rrjeti të organizuar kriminal, i përfshirë në trafikimin e emigrantëve nga Shqipëria drejt vendeve të ndryshme të Evropës. Dyshohet gjithashtu se rrjeti kishte lidhje edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjykata e Apelit në Torino ka konfirmuar masën e arrestit dhe ka dhënë miratimin për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Aktualisht, ai ndodhet në paraburgim në qytetin e Astit, në pritje të përfundimit të procedurave ligjore për kthimin në vendlindje.