Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka bërë publike arritjet kryesore të presidentit amerikan Donald Trump gjatë gjashtë muajve të parë të mandatit të tij të dytë, duke vënë theksin tek sukseset në fushën e politikës së jashtme.
Sipas Leavitt, ndër arritjet më domethënëse është ndalimi i një konflikti të mundshëm midis Kosovës dhe Serbisë, një tension që, sipas saj, rrezikonte të përshkallëzohej në përplasje të hapur. Ajo theksoi se ndërhyrja e drejtpërdrejtë e administratës Trump ka sjellë stabilitet në Ballkanin Perëndimor.
“Presidenti ka përfunduar tashmë konfliktet midis Tajlandës dhe Kamboxhias, Izraelit dhe Iranit, Ruandës dhe Republikës Demokratike të Kongos, Indisë dhe Pakistanit, Serbisë dhe Kosovës, dhe Egjiptit dhe Etiopisë,” deklaroi Leavitt në një konferencë për shtyp. “Kjo do të thotë se Presidenti Trump ka ndërmjetësuar mesatarisht një marrëveshje paqeje ose armëpushim çdo muaj gjatë 6 muajve në detyrë.”
Administrata Trump, sipas saj, është e përkushtuar ndaj diplomacisë aktive dhe parandalimit të konflikteve përmes dialogut. Zyrtarët amerikanë nuk kanë dhënë ende detaje të plota për marrëveshjen Kosovë-Serbi, por burime pranë Shtëpisë së Bardhë thonë se pritet një fazë e re bisedimesh me ndërmjetësimin e Uashingtonit.