Zgjedhjet e 11 Majit, treguan se krijimi i partiçkave të reja, ishte fillimi i fundit të atyre që besojnë akoma se “në politikë duhen aktorë të rinj”. Zgjedhjet dhe rezultati i 11 Majit, tregoi se “partiçkat u krijuan nga matrapazë dhe jo nga përfaqësonjës të brezit të ri të politikanëve”. Edhe rezultati i marrë nga partiçkat, po ashtu dhe sherret banale dhe fyese për ato vota që morën nga shqiptarët, treguan formimin real të kryetarucëve, që deri para 11 Majit, dilnin në ekrane duke ftuar shqiptarët “votoni për ne, jemi e ardhmja juaj”. Sa qesharakë.

Por ja që në listën e kandidatëve, kryetarucët kishin vendosur emrat e tezeve, hallave, dajave, mamave, baballarëve, nipërve, me soj dhe sorrollop, dhe asnjë emër tjetër, anëtari apo kontribuesi. Pra, ende pa nisur mirë nga rrugëtimi i tyre drejt një “politike progresiste”, ata kishin nisur matrapazllëqet me lista dhe emrat e kandidatëve.

Zoti e deshi, që ata të merrnini vetëm 1 deputet, dhe ai me sherre dhe shamata. Madje u shanë me libër shtëpie kryetarucët e partiçkave, aq sa ata që kishin votuar për ata, shqyen sytë dhe thanë me vehte se “si votuam ne për këta pazarexhinj”. Por ja që, fushata mbaroi, rezultati u shpall, ashtu edhe lista emërore e deputetëve, ku partiçkat e “politikës së të ardhmes Shqipërisë”, me shumë sforco morën 1 deputet. Dhe sherri nuk ka mbaruar, pasi kryetarucët e tyre nuk e kanë mbyllur sherrin akoma.

Kjo natyrisht është për të qeshur dhe për të qarë. E ndërsa shqiptarët presin, që nga gjiri i tyre të dalin emra të rinj, për të përfaqësuar denjësisht politikën e re europianiste në këtë vend, shohin se si krijohen partiçka me familjarë dhe farafis kryetarucësh, dhe pastaj durojnë dhe lexojnë në media edhe sherret banale mes tyre. Të joshur nga politika e vjetër 35 vjeçare, dhe të kthyer në “ushtarë” të kastës së vjetër të kësaj politike, ata vegjetuan fare pak në skenën e madhe, duke menduar se do të kishin fitime të mëdha. Harruan se “luani nuk të hap rrugë kollaj”, dhe se pjesën më të madhe kërkon ta hajë vetë. Edhe pse në fushatë u ftuan nga opozita ti bashkohen asaj, ata me gjoja “fodullëk” deklaruan se “ne do të jemi fituesit e 11 Majit”.

Në fakt, kallauzi ishte gjetkë. Pazaret ishin bërë, dhe pazaret po bëhen akoma dhe sot pa nisur 10 Shtatori. Shqiptarët e dinë tanimë se, partiçat e reja, dhe kryetarucët e tyre, janë thjesh pazarexhin, matrapazë, dhe leva të bindura të politikës së vjetër, me seli në ish-SHQUP. Në politikë nuk mund të futesh me formim të gjysmuar, dhe plane të paracaktuara për të fituar “llokma të mëdha”, pa e nisur fillimisht nga pika zero. Shqipëria (si vend ballkanik) ka specifikat e saj edhe në skenën politike.

Nuk është e lehtë të ngjitesh në majë, nqs nuk je njeri i duruar, i ekuilibruar, tolerant dhe aspak arrogant. Kryetarucët e rinj, i morën gabim leksionet e para nga ish-lideri historik, dhe kjo i kushtoi atyre shumë, aq sa në zgjedhjet e tjera, ata nuk mund të marrin as votat e farafisit, jo pastaj të shqiptarëve./Javanews