Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Trajtimit Çnjerëzor apo Poshtërues, organ brenda Avokatit të Popullit, ka bërë kontrollin periodik në burgun e Durrësit.
Gjatë këtij inspektimi, përfaqësuesit e mekanizmit kanë pyetur të gjithë personat e paraburgosur lidhur me kushtet e qëndrimit, trajtimin nga stafi i institucionit dhe respektimin e të drejtave të tyre. Mes të pyeturve ka qenë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në masën e sigurisë arrest me burg prej 10 shkurtit.
Kontrolli vjen në një moment kur vetë Veliaj ka akuzuar Drejtorinë e Burgjeve për trajtimin e tij. Mbrojtja ligjore e Veliajt ka ngritur pretendimet se është shkelur çdo protokoll mjekësor dhe trajtim njerëzor, pasi kryebashkiaku u shoqërua me 30 efektivë policie dhe hetues të BKH-së për një vizitë mjekësore në një klinikë private në Durrës.
Avokatët pretendojnë se disa prej këtyre efektivëve kanë qenë të pranishëm edhe brenda sallës së ekzaminimit, çka e konsiderojnë si një shkelje të hapur të protokolleve mjekësore dhe të standardeve të trajtimit njerëzor.