Avokatura e Shtetit ka reaguar në lidhje me rrethimin e televizionit News24 me forca policore ditën e sotme, për të liruar ambientet e godinës ku qëndron ish-Uzinën e Autotraktorëve, në Shkozë të Tiranës.

Në reagimin publik, Avokatura e Shtetit bën me dije se televizionit i ka përfunduar kontrata për qiranë e kësaj godine prej 3 vitesh, më 22 maj 2022, dhe se në datë 25 korrik 2022 u njoftua të lironte ambientet, por kjo nuk ndodhi për shkak se kompania inicioi procese të tjera gjyqësore.

Ndërkohë që, përfundimisht me vendim të Apelit të Administratives që mban datën 14 korrik 2025, është konfirmuar detyrimi për lirimin e menjëhershëm të ambientit. Në këtë vendim, gjykata ka theksuar se veprimtaria mediatike e shoqërisë nuk cënohet, pasi bëhet fjalë vetëm për ambiente pune që mund të sigurohen në hapësira të tjera, në pronësi ose me qira.

Deklarata e plotë për Shtyp:

Në përmbushje të misionit të saj kushtetues dhe ligjor për mbrojtjen e interesave të Republikës së Shqipërisë, Avokatura e Shtetit informon opinionin publik mbi ecurinë dhe përfundimin e proceseve gjyqësore të zhvilluara me Shoqërinë “Fokus Media News”, lidhur me ambientet në pronësi shtetërore pranë ish-“Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve”, në zonën kadastrale nr. 8170, të mbajtura pa titull ligjor prej më shumë se tre vitesh, pas përfundimit të kontratës së qirasë.

Me përfundimin e kontratës më datë 22 maj 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka komunikuar zyrtarisht shoqërisë kërkesën për lirimin e ambienteve brenda datës 25 korrik 2022, në përputhje me afatet kontraktuale. Pavarësisht këtij njoftimi, subjekti nuk ka kryer dorëzimin vullnetar të pronës, por ka vijuar ta mbajë atë në kundërshtim me ligjin, duke iniciuar procese gjyqësore dhe duke kërkuar masa të përkohshme sigurimi me qëllim pengimin e ekzekutimit të detyrimit.

Që prej vitit 2022, çështja është shqyrtuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit – Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë – dhe ka përfshirë gjithashtu katër vendime mbi masa sigurimi. Vendimi më i fundit, i datës 14 korrik 2025, i dhënë nga Gjykata e Apelit Administrativ me trup gjykues prej tre gjyqtarësh, ka konfirmuar detyrimin për lirimin e menjëhershëm të ambientit. Në këtë vendim, gjykata ka theksuar se veprimtaria mediatike e shoqërisë nuk cenohet, pasi bëhet fjalë vetëm për ambiente pune që mund të sigurohen në hapësira të tjera, në pronësi ose me qira.

Me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 12 mars 2025, kjo pronë i është kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., me destinacion ekskluziv përdorimin sipas objektit të saj, në këtë rast për bashkëprodhimin e mjeteve motorike. Ky projekt strategjik synon rivitalizimin e industrisë ushtarake vendase, krijimin e vendeve të punës në ambientet e zonës së Shkozës dhe garantimin e interesave të sigurisë kombëtare dhe ekonomike. Në pritje të vendimit të sipërcituar të Gjykatës së Apelit Administrativ, entet shtetërore, përfshirë “KAYO” sh.a., nuk kanë ndërmarrë veprime ekzekutive. Tashmë, me rrëzimin përfundimtar të pretendimeve të palës private, kane vijuar procedurat ligjore për marrjen në posedim faktik të pronës te cilat janë në zhvillim e siper, për ekzekutimin e detyrimit të përcaktuar ne vendimet gjyqesore dhe lirimin e ambienteve te mbajtura pas perfundimit te kontrates.