Me një postim prekës në rrjetet sociale, vajza e 36-vjeçares shqiptare, Marjola Nakoleci që u vra brutalisht nga bashkëshorti i saj, Panteli Nakoleci në Volos, ka shprehur dhimbjen e madhe për humbjen e nënës së saj.

“U largove mami ime e dashur… Do më mungosh shumë. E di që na shikon nga lart, por ne të duam shumë unë, Dinosi, Bleta dhe Asimina. Do jesh gjithmonë në jetën tonë,” shkroi vajza në përshkrimin e postimit, e pafuqishme të besojë se nuk do ta shohë më nënën e saj.
Autori i krimit, babai i fëmijëve, i cili e vrau nënën e tyre para syve të tyre, është ende në arrati. Pas aktit të rëndë, ai është zhdukur dhe policia greke ka nisur një kërkim intensiv për ta kapur.

Duke marrë parasysh gjendjen e tij të rënduar psikike, autoritetet dyshojnë se mund të ketë kryer vetëvrasje. Vetëm pak muaj më parë, në qershor, ai kishte tentuar të vetëvritej dhe ishte shtruar në një klinikë psikiatrike.
Policia greke ka bërë apel ndaj qytetarëve të Volosit që të jenë të kujdesshëm dhe në rast se e shohin personin në fjalë, të njoftojnë menjëherë autoritetet.