Të gjithë subjektet që ofrojnë shërbimet funerale do të duhen të licencohen sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara. Bashkia e Tiranës, përmes vendimit n.44 të datës 10 qershor 2025, ka përcaktuar kriteret dhe kushteve që agjencitë e shërbimit funeral/shtëpitë funerale duhet të plotësojnë për ushtrimin e aktivitetit të shërbimit funeral dhe/ose ofrimin e shërbimit për shtëpi funerale, në lidhje me kapacitetet teknike dhe burimet njerëzore.

Për t’u pajisur me licencë për shërbime funerale, subjektet me NIPT duhet të paraqesin pranë Bashkisë Tiranë një sërë dokumentesh, përfshirë: kërkesën për licencë, vërtetim nga gjykata për mosndjekje penale, vërtetim për shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe të sigurimeve shoqërore/shëndetësore, ekstraktin historik me objekt aktivitetin funeral, NIPT-in, si dhe dokumentacion që vërteton përmbushjen e kushteve për mjetet e transportit të kufomave sipas rregullores për varrezat.

Ndërsa, për subjektet, të cilat aplikojnë për pajisje me licencë për ofrimin e shërbimit për shtëpi funerale duhet të dorëzojnë përveç dokumentacionit të përcaktuar më lart, edhe listën e personelit të nevojshëm për të zbatuar objektin e veprimtarisë (përfshirë këtu, por pa u kufizuar infermier, sanitar, shofer, financier etj). Subjektet duhet të paraqesin gjithashtu listën e mjeteve e pajisjeve teknike, të nevojshme që kanë në dispozicion (përfshirë këtu, por pa u kufizuar makina autofunebër, kapak frigoriferik, frigorifer të posaçëm për mbajtjen e kufomave etj.);

Përmbushja dhe inspektimi i kushteve

Komisioni gjatë inspektimit në vend duhet të verifikojë për Agjencitë dhe Shtëpitë funerale përmbushjen e kushteve si më poshtë:
– Shtëpitë funerale nuk duhet të jenë në godina banimi dhe veprimtaria e ushtruar në to nuk duhet të jetë e dukshme për publikun. Agjencitë Funerale mund t’i kenë zyrat e shërbimit edhe në godina banimi, por në asnjë rast nuk munden që në të njëjtin ambient të ekspozojnë dhe të tregtojnë materiale si arkivolë, kurora, vazo etj. Këto materiale duhet të mbahen në ambiente të veçanta, jo të dukshme për publikun.
-Nuk duhet të kenë shenja dalluese, fetare, të përhershme, në fasadën e tyre apo në mjedisin përreth;
– Duhet të kenë të paktën një makinë autofunebër, e cila duhet të jetë sipas specifikimeve teknike të vendosura nga inspektorati i shëndetësisë;
– Të kenë garazh të përshtatshëm në varësi të numrit të makinave autofunebër që disponojnë. Minimalisht hapësira e përshtatshme për një makinë duhet të jetë deri në 15m2.
– Burime njerëzore të mjaftueshme për ushtrimin e aktivitetit të shërbimit funeral, përkatësisht për Agjencitë Funerale minimalisht 3 punonjës, ndërsa për shtëpitë funerale minimalisht 4 punonjës të punësuar me kohë të plotë, si dhe minimalisht 2 punonjës, të punësuar me kohë të pjesshme ose kontratë shërbimi.
– Çdo ndërtesë të projektohet, e tillë që të plotësojë kushtet e përdorimit nga ana e personave me aftësi të kufizuar.
Shtëpitë funerale duhet gjithashtu të kenë: sallë ceremoniale për rite fetare, dhomë të posaçme për pastrim dhe veshje kufome me pajisje të standardizuara, dhomë frigoriferike (morg) me temperaturë 2-12°C dhe ventilim të qëndrueshëm, si dhe ambiente higjieno-sanitare për personelin me sipërfaqe minimum 12m2.
Komisioni pasi ka inspektuar në vend ambientin, dhe ka konkluduar në plotësimin e kushteve, harton një raport përmbledhës dhe ia drejton Drejtorisë së Licencimit dhe Gjendjes Civile.
Subjektet e licencuara i nënshtrohen një kontrolli periodik të paktën 2 herë në vit, i cili kryhet nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, sipas planit të punës së miratuar nga drejtori i përgjithshëm. Pezullimi i licencës ndaj subjektit bëhet me vendim të kryetarit të Bashkisë, pas shqyrtimit të shkeljeve të konstatuara nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit.