Një meme që qarkullonte në internet për draftin e Kodit të ri Penal për një nen jo ekzistent të quajtur “martesat me zor”, është marrë nga kryedemokrati dhe është servirur në konferencën e tij për shtyp këtë martë me gazetarët nga selia blu, duke akuzuar Kryeministrin Rama se e ka maninë për të burgosur qytetarët.

I pyetur nga gazetarët për të dhënë një koment si e vlerëson draftin e Kodit të ri Penal, Sali Berisha mori shembullin e nenit “martesa me zor” që gjasme të dënon deri në 3 vite burg. Në fakt ky nen as nuk ekziston në draftin e Kodit të ri, por ka qakulluar si meme në internet.

Berisha, i bindur në deklaratën e tij, insistoi para gazetarëve se ky nen është i shkruar në Kod dhe se e kishte përpara syve.

“Ju jeni me fat se jeni të martuar, por në qoftë se do kishit qenë beqare, nënat tuaja do mund të shkonin për ndjenjat, sentimentet më të dashura për ju, për të ardhmen tuaj, mund të shkonin në burg deri në 3 vite në qoftë se guxonin t’ju thonin ‘bijë e nënës koha është për t’u martuar, nëna do të të shohë çift’. A mund të imagjonin ju deri ku shkon ky? Dhe kjo quhej martesa me zor, është e shkruar e kam këtu nenin. Në qoftë se i thuhet “po të ikën koha”. Çfarë tregon kjo? Kjo tregon atë mani të turpshme e të neveritshme si e si të mund të burgosësh të tjerët. A mund të vihet një nen i tillë”, tha Sali Berisha.

Në fakt, neni i ashtuquajtur “martesat me zor” nuk ekziston në Kodin e ri Penal që është ende një draft, por ka qarkulluar vetëm si shaka interneti.