Nga Rigels Seliman

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha na është rikthyer si “Krishti” politik i Fatmir Mediut. Por ndërsa Krishti i ungjijve u ringjall për të shpëtuar njerëzimin, ky “Krishti shqiptar” ringjallet vetëm për të shpëtuar veten nga gjyqet dhe për të mbajtur karrigen gjallë. Ai nuk ngjitet në qiell, por zbret çdo ditë në gjykatë e prokurori dhe lëmin e selisë së PD. Në vend të kryqit ka dosje në SPAK dhe damkën e “non-gratë-s” së SHBA-së dhe Britanisë së Madhe mbi shpinë, dhe në vend të apostujve ka politikanë të konsumuar që mezi presin të kapin një kockë pushteti.

Mediu, apostulli i “Gërdecit”

Dhe kush ia thotë këto fjalë hyjnore? Pikërisht Fatmir Mediu, kreu (PR) i një partie që ekziston vetëm në letra dhe që mbahet gjallë me serum nga karriget e koalicioneve. Ky është po ai Mediu që historia e njeh si “ministër të Gërdecit” – tragjedia që la gjurmë gjaku e hiri, jo ringjallje. Apostulli i Berishës predikon “shpresë”, ndërkohë që vetë s’ka larë ende duart nga përgjegjësitë e veta. Çdo fjalë e tij tingëllon si batutë e hidhur për qytetarët që kujtojnë se çfarë humbën në atë shpërthim.

Opozita mes kryqit dhe varrit politik

Kur Berisha e Mediu flasin për ringjalljen e opozitës, duket sikur shohim një film bardh e zi, që transmetohet për herë të njëmijtë. Ringjallje nuk ka – ka vetëm një rikthim në varreza politike, ku dy figura të konsumuara përpiqen të ringjallin një trup pa frymë. Në vend të një shëlbimi, opozita e tyre duket si një Golgotë moderne, ku qytetarët kryqëzohen mes korrupsionit, skandaleve dhe premtimeve boshe. Ata janë mjeshtër të predikimit, por dështakë në veprim.

Ungjilli i vjetër i politikës shqiptare

Berisha e Mediu janë si dy profetë të rremë që recitojnë nga një ungjill i vjetër, i grisur e i zverdhur nga koha. Ata flasin për shpresë, ndërkohë që vetë janë simboli i një politike që ka vrarë shpresën. Ata flasin për ringjallje, ndërkohë që kanë varrosur të ardhmen e një brezi të tërë. Në vend të një opozite moderne, ata ofrojnë një muze politik, ku çdo vizitor del i zhgënjyer dhe i lodhur. Pra nëse Berisha është “Krishti”, atëherë Mediu është “apostulli i Gërdecit”, dhe së bashku nuk sjellin ringjallje, por vetëm një teatrin grotesk ku populli është spektator i lodhur. Dhe pyetja mbetet: deri kur do të rishfaqet ky film i vjetër, ku protagonistët janë gjithmonë ata që duhej të ishin larguar prej kohësh?