Nga Namir Lapardhaja

Ka një ngjashmëri të hatashme mes asaj që po i ndodh udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, dhe asaj që i ka ndodhur deri më sot dhe pritet t’i ndodhë edhe në të ardhmen kryetarit të PD-së, Sali Berishës.

Dodik-u u dënua nga një gjykatë me një vit burg për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar në Bosnje. Vendimi u konfirmua nga Gjykata e Apelit dhe më pas KQZ-ja boshnjake i hoqi atij mandatin si president, duke e ndaluar të kandidojë në zgjedhje për gjashtë vjet.

Në Shqipëri, Sali Berisha ka afërsisht të njëjtën ngjashmëri, pavarësisht veçorive lokale. I shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit për korrupsion dhe minimin të demokracisë, ai filloi një betejë, së pari, me ndërkombëtarët, pastaj me drejtësinë derisa mori kontrollin e plotë të opozitës, me justifikimin se ndaj tij ishte organizuar një puç i madh ndërkombëtar, ndërsa akuza e ngritur dhe gjyqi që është duke u zhvilluar është një përpjekje për t’i mbyllur gojën opozitës dhe për të instaluar diktaturën. Berisha, ngjashëm si Dodik, vetëviktimizohet dhe nuk njeh asnjë institucion që e bën atë fajtor apo guxon të hedhë hije dyshimi në ndershmërinë e tij.

Një tjetër element që i bashkon të dy është pritshmëria që kishin nga kthimi i Donald Trump në pushtet. Si Dodik ashtu edhe Berisha fërkuan duart me rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë, duke ushqyer iluzionet se një gjë e tillë do të sillte rehabilitimin e tyre politik. Shpresa ishte që administrata e re do të rishikonte vendimin për “non grata-t” dhe do të ndryshonte qëndrimin ndaj tyre. Mirëpo, jo vetëm që kjo nuk ndodhi, por, përkundrazi, pozitat e tyre u përkeqësuan.

Dodik dhe Berisha i paraqesin akuzat penale dhe vendimet institucionale si akte hakmarrjeje politike të orkestruar nga qeveritë respektive të mbështetur nga armiqtë ndërkombëtarë. Në të dy rastet, akuzat për korrupsion apo abuzim me pushtetin nuk ballafaqohen me argumente ligjore, por zëvendësohen me një diskurs ku drejtësia paraqitet si vegël e pushtetit politik.

Rasti i Dodik dhe i Berishës nuk është vetëm një histori e dy politikanëve, por një reflektim i thellë mbi tranzicionin politik dhe institucional në krejt Ballkanin Perëndimor. Ata përfaqësojnë një brez politikanësh që e kanë vështirë të pranojnë se koha e tyre ka përfunduar dhe se shteti ligjor kërkon llogaridhënie.

Nëse drejtësia do t’i përballojë me sukses këto figura, kjo do të jetë një provë për pjekurinë e institucioneve demokratike në Rajon, por nëse ata arrijnë të diskreditojnë gjykatat dhe prokuroritë, siç janë përpjekur jo pa sukses deri më sot, do të kemi një kthim pas dhe do të jetë një ogur i keq për krejt Rajonin.