Ministri i Shtetit, Taulant Balla, ka reaguar me një video të publikuar në rrjetet sociale, pas deklaratave të fundit të Sali Berishës lidhur me vrasjet e protestuesve më 21 janar 2011 në bulevard, të cilat ish-kryeministri i quajti “krim shtetëror pa dashje”.
Në postimin e tij, Balla krahason deklaratën e fundit të kreut të PD-së me atë çfarë kishte deklaruar në janar 2011 kur fliste për reagim nga snajperë.
“Uuuuu, paska ndryshuar qëndrim?! Shikoni çfarë thotë sot, çfarë ka thënë dje (më parë)”, shkruan Balla, duke shoqëruar videon me deklaratën e vitit 2011 të ish-kryeministrit, ku ai shprehet:
“Po preke gjënë më të vogël, do jenë 5 snajperë, katër në të katër anët dhe unë në atë dritare, dhe në mënyrë absolute do goditet. Vetëm po se shpoi plumbi.”
Ndërkohë, në deklaratën e fundit, Berisha shprehet:
“Se unë nuk mund të them që ata nuk u vranë nga njerëz të shtetit. Por krimi shtetëror, që ta dini ju, është krim shtetëror me dashje, krim shtetëror pa dashje.”
Në retorikën e tij politike, ministri Balla e ka akuzuar shpesh Sali Berishën si urdhëruesin e krimeve shtetërore dhe në përvjetorin e 14-të të ngjarjes këtë vit deklaroi se ende familarët presin drejtësi.
Të vetmit të dënuar për këtë krim janë ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, me një vit burg, dhe gardisti Agim Llupo me tre vite burg, por jo urdhëruesi. 14 vjet më vonë, ende nuk ka as drejtësi të pjesshme për Aleks Nikën, vrasjen e të cilit, në një vendim të saj, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut thotë se duhet të zbardhet si një krim shtetëror. Ndërkohë, SPAK ka një hetim në proces.