Emiratet e Bashkuara Arabe (UAE) i vijnë në ndihmë Shqipërisë për situatën e paprecedentë të zjarreve këtë vit, me dy helikopterë Black Hawk të Forcës Ajrore, që janë dislokuar në bazën ajrore të Kuçovës dhe po operojnë efektivisht në zjarret në të gjithë territorin e vendit, duke qenë një ndihmë shumë e madhe në mbështetje të strukturës nga toka për fikjen e zjarreve.

Gjeneral Brigade, Mudhafar Al Amri, Drejtor në Detyrë i Shpëtimit dhe Zjarrfikës, Autoriteti i Mbrojtjes Civile në Abu Dabi, ishte sot në terren për të ndjekur nga afër operacionet për fikjen e zjarreve në zonën e Gramshit, ku theksoi edhe një herë gatishmërinë e vendit të tij për të ofruar ndihmë për Shqipërinë në këtë situatë të rënduar me zjarret, shkruan A2 CNN.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Haki Ҫako e falënderoi për ndihmën konkrete, që po jep rezultat në terren.