Situata e zjarreve në vend është kritike.
Brenda orëve të fundit raportohen 37 vatra aktive në të gjithë Shqipërinë, me përhapje të shpejtë të zjarrit dhe rrezik të lartë për banesat.
Qarqet Vlorë, Dibër, Berat, Tiranë, Gjirokastër, Elbasan, Shkodër, Kukës, Korçë dhe Lezhë janë prekur nga zjarret, ndërsa flakët kanë detyruar evakuimin e disa zonave.
Qarku Vlorë mbetet një nga më të goditurit. Në Delvinë, zjarri ka hyrë në lagjen Kasapaj, duke kërcënuar banesat. Në operacione janë angazhuar dy helikopterë çek dhe sllovak. Në Finiq, vatrat janë shtrirë deri në Syrin e Kaltër, Pecë, Sirakat, Kardhikaq dhe drejt Delvinës. Situata është kritike edhe në Tremul ku rrezikohen shtëpitë, ndërsa në malin e Sopotit flakët po avancojnë drejt Gjirokastrës.
Qarku Dibër përballet me zjarre të fuqishme në Ternovë dhe Malin me Gropa, ku era po ndihmon përhapjen pranë Liqenit të Zi. Janë angazhuar dhjetëra forca të ushtrisë dhe bashkive, por terreni malor po e vështirëson ndërhyrjen.
Në Berat, disa fshatra janë në alarm. Në Vokopolë, flakët shkatërruan gjashtë banesa (tre të pabanuara), ndërsa në Rehovë rrezikohen shtëpitë e Çorogjafit. Në Velçan kërkohet mbështetje ajrore për të frenuar përhapjen.
Tirana ka disa vatra aktive, përfshirë malin e Bërzhitës dhe zonën e Vaqarrit, ku zjarri ka përfshirë kodrat. Operacionet në terren po zhvillohen me dhjetëra zjarrfikës dhe forca të policisë.
Në Gramsh situata është dramatike: flakët po afrohen drejt fshatit Nartë dhe është dhënë urdhër evakuimi. Helikopterët po operojnë mbi zonë, por rritja e intensitetit të zjarrit ka bërë që të përqendrohen të gjitha kapacitetet e qarkut.
Në Gjirokastër e Tepelenë, disa fshatra kanë shpëtuar në momentin e fundit, por humbjet janë të rënda, janë djegur dy stalla bagëtish, një lopë, dy viça dhe një kalë.
Në qarqe të tjera si Shkodër, Kukës, Korçë e Lezhë, zjarret po mbahen nën monitorim, megjithëse në disa zona terreni malor dhe era po e bëjnë shuarjen pothuajse të pamundur.