Njëherë e mirë: Brigitte Macron nuk është burrë dhe kush e pohon me ngulm, në këtë rast influencerja amerikane Candace Owens, mund të ketë interesa politike dhe destabilizuese, veçanërisht lidhje me të djathtën ekstreme dhe Rusinë.

Për të zbuluar fijet që lidhin podcast-et dhe videot në YouTube, avokatët e presidentit francez Emmanuel Macron (dhe të bashkëshortes së tij Brigitte) kanë angazhuar në SHBA hetues privatë.

Sipas hetimeve të kryera nga zyra Nardello\&Co., çifti i Elizesë vendosi më 23 korrik të paraqesë padi për shpifje në Shtetet e Bashkuara (një hap i paprecedentë në historinë e politikës).

«Macron-ët e ngritën padinë me vetëdije të plotë për lidhjet e Owens», shpjegon për Financial Times Dan Nardello, kreu i hetuesve privatë. Këto lidhje duket se kanë qenë mjaft serioze për të mos e trajtuar lehtë shpifjen e autores së podcastit.

Pjesë e zbulimeve të hetuesve është bërë e ditur për gazetën. Nuk janë vetëm lidhjet me populistët amerikanë: Owens është pjesë e një rrjeti të së djathtës ekstreme që shtrihet nga Britania e Madhe, në Francë (përfshirë mbesën e Le Pen, Marion Maréchal), e deri te nacionalistët rusë (mes tyre filozofi tradicionalist Aleksandër Dugin).

Hetuesit rindërtuan profilin e Owens: fillim në internet me pozicione liberale, që më pas u kthyen drejt konservatorëve pas një sulmi të supozuar online. E prirë për ndryshime, ajo ka bërë fushatë për presidentin Donald Trump, por më pas është shprehur se ndihej «e turpëruar».

Për përgatitjen e padisë, ata kanë ndjekur historinë e lajmit të rremë për Brigitte: gjurma e parë shfaqet te një bloger spanjoll në vitin 2017, e rikthyer në Francë në vitin 2021 dhe e shtuar sidomos në fund të vitit 2023 nga Xavier Poussard, ish-drejtor i revistës së djathtës ekstreme Faits et Documents. Është po Poussard ai që në një video të vitit 2024 thotë se ka përkthyer në anglisht «hetimin» e tij për zonjën Macron dhe ia ka dërguar Owens-it.

Nga ky moment, influencerja shpërthen dhe e përhap gënjeshtrën me emisionin «Becoming Brigitte»: 4 milionë dëgjime. Dhe lind dyshimi se synimi i saj shkon përtej teorive të konspiracionit.