Chelsea ka miratuar kalimin e Armando Brojës te Burnley. Lajmi është publikuar nga BBC, e cila shton se transferimi mund të zyrtarizohet në orët në vijim.

23-vjeçari ka marrë këto ditë për të vlerësuar transferimin dhe për të negociuar kushtet e kontratës. Më herët, mes dy klubeve është arritur marrëveshja për një shumë prej 20 milionë paundësh.

BBC shkruan se Armando Broja është i lumtur për këtë lëvizje, e cila pritet t’i sigurojë edhe aktivizim të rregullt. Te Chelsea, që zotëron kartonin e tij prej vitit 2020, ai ka luajtur vetëm në 38 ndeshje, pasi është huazuar në disa skuadra brenda dhe jashtë Anglisë.

Ekipi i fundit i Brojës ishte Everton, ku për shkak të dëmtimeve u aktivizua vetëm në 11 ndeshje, kryesisht si zëvendësues. Armando Broja është nën kontratë me Chelsea deri më 30 qershor 2028.