Buzhala publikon foton e vrasësit në Gjilan krah Osmanit dhe AKurtit: Militant politik i liruar nga drejtësia a mos prapë faji i klanit Pronto?
Gazetari kosovar Berat Buzhala ka reaguar ashpër pas ngjarjes së rëndë që ndodhi sot në Gjilan, ku mbetën të vrarë tre persona – baba, biri dhe dhëndri. Ai ka ndarë një fotografi ku i dyshuari për vrasjen, Mefail Shkodra, shihet në mes të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrit Albin Kurti.
Përmes këtij postimi, Buzhala ka ngritur shqetësime të forta për të kaluarën e të dyshuarit, duke rikujtuar se ai ishte arrestuar vitin e kaluar për fajde, por ishte liruar nga autoritetet.
“Ky personi ne mes, Mefail Shkodra, i ka vra sot ne Gjilan babe e bir,” shkruan Buzhala, për të përfshirë më pas të gjithë viktimat: baba, biri dhe dhëndri.
Ai thekson se nuk po e akuzon askënd nga personat që shihen në fotografi për ndonjë përgjegjësi direkte, por ngre alarmin për lirimin e dikujt që ai e quan fajdexhi dhe militant politik.
“Nuk po them qe keta dy anash jane pergjegjes, por pa them qe ky vrasesi eshte arrestu vitin e kaluar per fajde, ama eshte liru,” shkruan ai.
Në fund të postimit, gazetari ngre një pyetje ironike që godet drejt strukturave të drejtësisë dhe mënyrën se si trajtohen njerëzit me lidhje politike.
“A ka pase ndikime politike qe ky militant politik i partise ne pushtet, njekohesisht fajdexhi, me u liru? A mos halaaaaaa faji i klanit Pronto?” përfundon Buzhala.
Fotografia dhe deklarata kanë shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, duke e shtuar edhe më shumë presionin mbi institucionet e drejtësisë për transparencë dhe përgjegjësi.