Në tre postimet e ardhshme, korrespondenti ynë për çështjet e sigurisë, Frank Gardner, do të shqyrtojë se çfarë kërkon secila palë Ukraina, Rusia, SHBA dhe Europa nga bisedimet për paqe.
Ukraina kërkon, para së gjithash, një armëpushim.
Qytetet e saj janë nën bombardime të vazhdueshme çdo natë, dhe udhëheqja ukrainase thotë se është e pamundur të negociohet një marrëveshje paqeje e qëndrueshme ndërsa ky sulm po vazhdon përditë, duke vrarë dhe plagosur njerëzit e saj.
Deri tani, kjo kërkesë për “armëpushim të parë” është mbështetur plotësisht nga aleatët europianë të Ukrainës.
Por presidenti amerikan, i cili më parë kishte vendosur një sërë ultimatumesh që Rusia të nënshkruante një armëpushim, duket se e ka hequr dorë nga kjo ide. Në vend të kësaj, Donald Trump i bashkohet Rusisë në sugjerimin që bisedimet të kalojnë direkt në përpjekje për një marrëveshje paqeje të përhershme.
Në një botë ideale për Ukrainën, një marrëveshje paqeje do të sillte kthimin e të gjithë territorit që Rusia ka pushtuar, ose pjesërisht pushtuar dhe më pas e ka aneksuar në mënyrë të paligjshme që nga viti 2014 pra, Krimenë dhe katër rajonet jugore e lindore të Khersonit, Zaporizhjës, Donetskut dhe Luhanskut.
Por pas tre vitesh e gjysmë lufte në shkallë të plotë, është bërë e qartë se, edhe me mbështetjen e fuqishme materiale nga Perëndimi, Ukraina thjesht nuk ka fuqinë njerëzore për ta fituar këtë konflikt ushtarakisht.
Ka shumë gjasa që asaj do t’i paraqitet një marrëveshje shumë e papëlqyeshme, që do të përfshijë heqjen dorë nga kontrolli mbi një pjesë të madhe ose shumicën e këtyre rajoneve që tashmë janë të pushtuara nga forcat ruse.
Ukraina dëshiron të anëtarësohet në NATO, të cilën e sheh si garancinë më të mirë kundër agresionit të ardhshëm rus.
Por Donald Trump e ka përjashtuar këtë mundësi. Në vend të kësaj, Ukrainës do t’i kërkohet të pranojë një garanci sigurie simbolike nga aleatët e saj, detajet e së cilës ende nuk janë përcaktuar.