OpenAI ka njoftuar futjen e një funksioni të ri në ChatGPT që do t’u kujtojë përdoruesve të bëjnë një pushim kur bisedat me inteligjencën artificiale zgjasin shumë. Qëllimi i kompanisë është të kultivojë një marrëdhënie më të shëndetshme me asistentin e Inteligjencës Artificale, i cili ka tashmë pothuajse 700 milionë përdorues aktivë në javë, duke zbutur rreziqet nga përdorimi i tepërt që mund të krijojë varësi.
Nuk bëhet fjalë për një ndalim të detyruar, por njoftime kujtese që do të shfaqen si pop-up në biseda dhe do t’i ftojnë përdoruesit të reflektojnë për kohëzgjatjen e bisedës dhe nëse është koha për një pushim: “Ke biseduar gjatë, është një moment i mirë për një pushim?”. Përdoruesi do të mund të zgjedhë nëse do të ndalojë apo do të vazhdojë të përdorë ChatGPT-në.
OpenAI thekson se ChatGPT është krijuar për t’i ndihmuar përdoruesit të përparojnë, të mësojnë diçka të re ose të zgjidhin probleme, por jo për të mbajtur vëmendjen e tyre për kohë të pacaktuar.
“Ne zhvilluam ChatGPT-në për të të ndihmuar të përparosh në çdo mënyrë që dëshiron. Për të bërë progres, për të mësuar diçka të re ose për të zgjidhur një problem, dhe pastaj të kthehesh në jetën tënde. Qëllimi ynë nuk është të kapim vëmendjen tënde, por të të ndihmojmë ta përdorësh më mirë. Duke filluar nga sot, do të marrësh njoftime kujtese gjatë sesioneve më të gjata për të inkurajuar të bësh pushime. Do të vazhdojmë të përmirësojmë kur dhe si do të shfaqen, në mënyrë që të jenë natyrale dhe të dobishme.”, thuhet në njoftim
Rreziqet psikologjike
OpenAI ka njoftuar dhe ndryshime të tjera për të përmirësuar shërbimin, si rritjen e kapacitetit për të zbuluar vuajtje mendore dhe emocionale për t’u përgjigjur në mënyrë më të përshtatshme dhe për menaxhimin e pyetjeve personale.
“OpenAI po përmirëson aftësinë e modelit për të zbuluar sinjale vuajtjeje mendore ose emocionale, në mënyrë që ChatGPT të përgjigjet më mirë,” shkruan kompania. Në menaxhimin e pyetjeve personale, kompania thekson se shpesh njerëzit pyesin ChatGPT-në “A duhet ta lë partnerin tim?”.
Në këto raste, ChatGPT do të shmangë përgjigjet përfundimtare, dhe në vend të kësaj do t’i ndihmojë përdoruesit të reflektojnë mbi vendimet e tyre duke bërë pyetje dhe duke vlerësuar argumentet pro dhe kundra.
OpenAI po punon gjithashtu me ekipe ekspertësh në shëndetin mendor, zhvillimin e të rinjve dhe ndërveprimin njeri-makineri, duke përfshirë mbi 90 mjekë nga 30 vende. Qëllimi është krijimi i udhëzimeve specifike për menaxhimin e bisedave më komplekse dhe sigurimi i burimeve bazuar në prova për rastet më të ndjeshme./Corriere della Sera