Radikal ka qenë qëndrimi i Dashnor Sulës sa i takon situatës brenda PD-së sot. Në një lidhje skype për News24, Sula tha se nëse nuk ka një ndryshim rrënjësor brenda PD-së sa i takon drejtuesve, duke u zëvendësuar me emra të rinj që morën më shumë vota në zgjedhje, opozita nuk mund të vijë në pushtet edhe pas 50 vitesh.

“Është fatkeqësi në situatën që ndodhet opozita sot në këtë ditë. Është situatë e zymtë dhe e shoh të keqe. S’jam njeri që urrej apo kam gjëra personale. E kam thënë shpesh herë, do të duhet modeli që të votojnë qytetarët. Duhet të jenë të parët qytetarët dhe më pas politikani. Është parashikuar një përfundim i tillë.

E kisha parashikuar që në korrik të 2024-ës. E kam thënë që këtë që po bën PD është vetëvrasje politike, me mbylljen e listave, sistemi është i bllokuar. Zgjedhjet treguan se qytetarët votuan politikanët e nderuar, siç ishte Tabaku apo Alimehmeti, apo Dhurata Çupi. Qytetarët shqiptarë duan njerëz të nderuar në krye, jo të korruptuar. Ishte një listë pa vlera, vetëm me emërime, pa kontribute.

Qytetarët nuk janë budallenj, që të votojnë një forcë politike që e kanë partinë për interesa personale. Duhet ndarë kjo gjë. Kjo është një lojë e ndyrë politikë, nga Berisha dhe nga përfaqësues të tjerë të PD. Në kohën që Dhurata Çupi dhe tre deputetë të tjerë, kërkonim që të futeshim në grevë urie, por ata nuk donin. Ishte thjesht loja. Këta nuk kanë ndërmend të ndryshojnë asgjë.

Duhej të kishte ndryshime radikale, dhe të ishin në krye ata që kishin numrin më të lartë të votave. Po vazhduat me Albana Vokshin ju, nuk fitohet. Unë miqtë më të mirë i kam nga Veriu, nga Jugu s’kam. Por ta harrojnë miqtë e mi nga veriu dhe të tjerët, që do të vijnë në pushtet edhe pas 50 vitesh, nëse do vazhdohet me këtë mentalitet. S’dua t’i fryjë asnjë përçarje, por duhet të ketë ekuilibër partia dhe pushteti.”, tha ai.

Duke komentuar deklaratat e mëparshme të Kreshnik Çollakut sot në News24, Sula tha se padyshim që djegia e mandateve nuk është zgjidhje. Ai tha se për sa kohë në krye të PD të jetë Berisha, Rama ta bëjë gjumin e qetë.

Sula tha se nuk do të japë më kontribut për PD, nëse vijohet me këtë mentalitet, ndërsa nuk përjashtoi projektet e reja politike.