Ndërsa flakët po shkrumbojnë zona të tëra në Shqipëri dhe banorët përballen me humbje e frikë, një pjesë e deputetëve të PD zgjedhin të japin mend, ndërkohë që janë duke bërë pushime në plazhe dhe resorte komode.

Deputeti i PD-së, Tomorr Alizoti, në një lidhje televizive, deklaroi se “Shqipëria nuk ka kapacitete për të përballuar situata si zjarret apo tërmeti”, duke shtuar se “Shteti nuk ekziston… ka tipare piratësh që grabisin”. Ai e cilësoi atë që po ndodh një tragjikomedi.

Nga ana tjetër, ish-deputeti Ervin Salianji, në një postim në Facebook, akuzoi qeverinë për mungesë mjetesh bazike dhe për rrezikimin e jetës së punonjësve në terren. “Helikopterët dhe avionët e premtuar janë ende në letër… mungesa e mjeteve nuk është vetëm paaftësi, por shpërdorim i qëllimshëm”, shkroi ai, duke kujtuar se edhe tre vite më parë situata ishte e njëjtë.

Salianji nuk dihet me saktësi se nga cili resort luksoz, ku po kalon pushimet, e bëri këtë postim në rrjetet sociale.

Në të dy rastet, mesazhi i deputetëve duket si kritikë politike, por për sa kohë ata nuk japin një kontribut vetjak lidhur me atë që po ndodh në të gjithë Shqipërinë, perceptimi i publikut është se deklaratat nga plazhi dhe pushimet nuk kanë kurrfarë peshe dhe rëndësie.
Ndërkohë, në terren vijon puna për të mbajtur në kontroll dhe për të shuar vatrat e mbetura. /TemA