Një futbollist i skuadrës së Skënderbeut në Korçë është dhunuar me sende të forta nga disa persona pas një sherri mes tyre.
Ai është Saleh Salem 26 vjeç, i cili pësoi lëndime si pasojë e goditjeve dhe u dërgua në spital për të marrë mjekim, ku ndodhet në gjendje të mirë.
Policia e Korçës, menjëherë pas ngjarjes, arrestoi 2 persona dhe 4 të tjerë po i heton në gjendje të lirë.
Kështu, në pranga kanë rënë Vangjel Jovani dhe Thanas Veshi të dy 24 vjeç dhe banues në fshatin Polenë të akuzuar për plagosje të rëndë me dashje.
Ndërsa të proceduarit në gjendje të lirë janë Th.V. 32 vjeç, A.Xh. 23 vjeç, e J.O. 24 vjeç si të përfshirë në sherr, ndërsa i katërti Dh.M. 25 vjeç i akuzuar për moskallëzim krimi pasi kishte dijeni për sherrin mes të rinjve dhe nuk ka treguar.
Policia thotë se ngjarja ka ndodhur pas një sherri mes palëve. Burime për Report Tv bëjnë me dije se rreth 3 muaj më parë, konkretisht në muajin qershor, futbollisti i dhunuar kishte kanosur me thikë një prej personave të arrestuar sot, Vangjel Jovanin.
Njoftimi i Policisë Korçë:
Dhunuan për motive të dobëta, një 26-vjeçar, vihen në pranga 2 shtetas dhe në hetim 3 shtetas.
Gjithashtu, procedohet penalisht një 25-vjeçar, i pranishëm gjatë krimit, për moskallëzim.
Menjëherë pas njoftimit për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në lagjen nr. 16, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë shkuan në vendngjarje, për të sqaruar rrethanat dhe identifikuar përgjegjësit. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale:
-u arrestuan shtetasit V. J., 24 vjeç dhe Th. V., 24 vjeç, të dy banues në fshatin Polenë, si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit Th. V., 32 vjeç, banues në fshatin Polenë, A. Xh., 23 vjeç, banues në fshatin Bulgarec dhe J. O., 24 vjeç, banues në fshatin Rëmbec, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë dhunuar një 26-vjeçar, i cili aktualisht është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën;
-u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasi Dh. M., 25 vjeç, banues në fshatin Rëmbec.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.