Dinamo, pasi ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen e parë të play-off-it, do të luajë këtë të enjte në transfertë përballë polakëve të Jagellonias

Arritja deri në këtë faze padyshim që është një sukses mjaft i madh për skuadrën kryeqytetase, e cila tashmë është e vetmja që përfaqëson futbollin shqiptar në arenën europiane, pas eliminimit të Egnatias në raundin e tretë eliminator.

Një tjetër provë shumë e vështirë kjo për djemtë e Dajës, të cilët në këtë ndeshje të parë të paktën, do të jenë pa atutorin e golit të parë në ndeshjen ndaj Hajdukut të Splitit, Zabërgjan, i cili deri në këtë raund e kishe lejen nga skuadra e tij e re, Metalis 1925 në Ukrainë, ku u transferua në këtë merkato verore për rreth 800.000 euro.

Në vend të tij Dinamo është përforcuar me Bernard Berishën, i cili mendohet të jetë i gatshëm për këtë ndeshje, ndërkohë që përforcimi tjetër, Guindo i marrë nga Egnatia, nuk mund të luaj as në play-off të Conference League, pasi është aktivizuar me Egnatian më parë. Në rast kualifikimi të Dinamos në fazën e grupeve, do të jetë edhe ai në dispozicion të Dajës.

Ndërkohë me probleme muskulore është Qefalia, i cili do ta humbasë këtë ndeshje të parë ndaj Jagellonias, ndërsa në dyshim pas seancës së fundit stërvitore në Tiranë, duket të jetë edhe Qardaku, autori i golit të dytë për blutë në ndeshjen ndaj Hajdukut të Splitit në kryeqytet.

Mes këtyre mungesave, por edhe nivelit të vështirësisë së skuadrës polake, Daja do të përpiqet të bëjë një tjetër mrekulli me djemtë e tij të Dinamos, për të shpresuar që të arrijë të futet në fazën e grupeve të Conference League, në rikthimin e Dinamos pas 15 vitesh mungesë në arenën europiane.

Ndeshja mes Jagellonias dhe Dinamos do të luhet mbrëmjen e së enjes, më 21 gusht në orën 20:15, ndërkohë që takimi i kthimit do të zhvillohet një javë më pas në Arenën Kombëtare të kryeqytetit, ndeshje vendimtare që do të përcaktojë edhe skuadrën që kalon më tej në fazën e grupeve të Conference League.