U largua nga jeta një prej mendjeve më të ndritura të kohës sonë, Artur Zheji, mendimtar erudit, publicist i mprehtë dhe shpirt i paepur.
Ai ishte një mentor dhe intelektual brilant që na ka sfiduar të shohim më thellë, më përtej, më me dritë.
I lidhur ngushtë me historinë, kulturën dhe trashëgiminë e këtij vendi, ai ishte pinjolli i një dinastie të madhe historike e kulturore shqiptare si djali i gjuhëtarit të shquar Petro Zheji dhe aktores së njohur shqiptare Besa Imamit, nipi i studiuesit të njohur Gjergj Zheji dhe si intelektual e deshi Shqipërinë si pakkush tjetër.
Ndarja e tij e parakohshme nga jeta le pas një dhimbje të thellë për vendin që e deshi dhe e kritikoi me një dashuri të pakushtëzuar.
Zheji nuk ishte thjesht një analist. Ishte një ndër ata të rrallët që, në një kohë zhurmash dhe lajmesh të shpejta, zgjidhte të ngrinte pyetje të mëdha.
Tashmë që zëri i tij nuk do të dëgjohet më në debate, as në editoriale, ai do të lerë një vend bosh në panteonin e dijes dhe në hapësirën publike.
U prehsh në paqe, Artur Zheji. Fjala jote do të mbetet udhërrëfyese për ata që zgjedhin të mendojnë, jo vetëm të flasin.