Tiranë, 5 Gusht 2025 – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, priti në një takim zyrtar Ministër-Këshilltarin e Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, z. Huang Xuehu.
Takimi, i zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me pjesëmarrjen e drejtuesve të lartë të strukturave qendrore, kishte në fokus ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit dypalësh mes dy vendeve në fushën e rendit dhe sigurisë.
Gjatë takimit u diskutua për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë kineze, si dhe krijimin e një pike kontakti të posaçme në strukturat shqiptare, me qëllim lehtësimin e bashkëpunimit operativ dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale.
Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda dhe Ministër-Këshilltari Huang Xuehu theksuan se këto hapa do të shërbejnë si përgjigje konkrete dhe efikase kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe veçanërisht trafikimit të qenieve njerëzore.
Gjithashtu, një pikë e rëndësishme e diskutimit ishte ndërlidhur me operacionet e fundit të Policisë së Shtetit kundër shfrytëzimit për prostitucion të shtetaseve kineze, të cilat ishin rekrutuar për të ushtruar veprimtari të paligjshme në apartamente me qira në Shqipëri. Palët nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm për të garantuar ndjekje penale për organizatorët dhe një qasje institucionale për mbrojtjen dhe asistencën e viktimave.
Në përfundim të takimit, Drejtori Proda theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ndërkombëtar policor, përmes shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, për të garantuar një luftë më efikase kundër krimit ndërkombëtar në të gjitha format e tij.
Nga ana e tij, Ministër-Këshilltari Huang falënderoi Policinë e Shtetit për bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehu angazhimin e palës kineze për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.