Një 61-vjeçar është vënë në pranga nga policia në Tiranë pas operacionit “Shape”. Policia zbuloi një banesë në Yzberisht e cila ishte përshtatur për përgatitjen e lëndëve narkotike kanabis dhe kokainë.

I arrestuari është identifikuar si Shkëlqim Krrashi. Në banesë, Krrashit iu gjetën rreth 17 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis çokollatë, e ndarë në 69 paketime. Gjithashtu u sekuestruan 22.5 litra vaj kanabisi. Sipas policisë të dyja sasitë kapin vlerat rreth 500 000 euro. Në banesë u gjetën edhe 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 armë gjahu.

Njoftimi:

Tiranë/Finalizohet pas disa muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Shape”. Zbulohet në Yzberisht, një banesë e përshtatur për përgatitjen e lëndëve narkotike Kanabis dhe Kokainë, në trajta dhe forma të ndryshme, me qëllim shitjen.

Sekuestrohen nga banesa rreth 17 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Kanabis (çokollatë) dhe 22.5 litra vaj Kanabisi, të dyja me vlerë totale rreth 500 000 euro, një sasi Kokaine, 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 armë gjahu. Arrestohet në flagrancë pronari i banesës.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, për disa muaj, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, finalizoi operacionin policor të koduar “Shape”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. K., 61 vjeç, banues në Yzberisht.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kryer kontroll në banesën e 61-vjeçarit, ku gjetën dhe sekuestruan rreth 17 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Kanabis (çokollatë), e ndarë në 69 paketime, 22.5 litra vaj Kanabisi (të dyja sasitë me rreth 500 000 euro), rreth 65 gramë lëndë të dyshuar narkotike Kokainë, 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 armë gjahu.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas siguronte sasi të mëdha të Kanabisit dhe Kokainës, i përgatiste në trajta dhe forma të ndryshme dhe i shiste në Yzberisht. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.