Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Himarës pasi kishin kultivuar në një parcelë mes fshatrave Lukovë dhe Shën Vasil, 150 bimë narkotike kanabis.

Fatmir Suli dhe Çelik Xhebra u kapën ‘mat’ nga droni teksa po kujdeseshin për bimët narkotike.

20 bimë narkotike u sekuestruan si provë materiale, ndërsa pjesa tjetër e bimëve u asgjësua nëpërmjet djegies.

Blutë informojnë se sekuestruan edhe 3 telefona celular, vegla pune dhe sende të tjera që përdoreshin nga dy të arrestarit për këtë veprimtari.
Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë, si rezultat i kontrolleve të kryera në kuadër të planit operacional “Koordinata”, goditën një rast të kultivimit të bimëve narkotike, si rezultat i të cilit u vunë në pranga, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, shtetasit:

F. S., 62 vjeç

Ç. Xh., 47 vjeç.

Këta shtetas u kapën në flagrancë duke u kujdesur për bimët, veprim i dokumentuar edhe në pamje filmike, gjatë monitorimit me mjetet inteligjente dron.

Konkretisht, në prroin mes fshatrave Lukovë dhe Shën Vasil, në një zonë me bimësi të dendur dhe shkurre, këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin kultivuar rreth 150 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 20 bimë narkotike, ndërsa pjesa tjetër e bimëve u asgjësua nëpërmjet djegies.

Gjithashtu, u sekuestruan 3 telefona celular, vegla pune dhe sende të tjera që përdoreshin nga dy shtetasit për këtë veprimtari kriminale.

Plani operacional policor antikanabis “Koordinata” vijon intensivisht, në të gjithë territorin e qarkut Vlorë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.