Shqiperia është përfshirë nga i nxehti afrikan dhe gjithashtu me zjarret më të mëdha që vendi ynë ka hasur këto vite. Sakaq, kryeministri Edi Rama reagoi duke thënë se zjarrvënia duhet të dënohet njësoj si vrasja.
Analisti Frrok Çupi tha për ‘News Line’ se kjo është një nismë e justifikuar dhe se ndëshkimi duhet të jetë maksimal.
Më tej, Çupi tha se duhet të ishte ngritur task forca lidhur me zjarret dhe se vendimi për të dyshuarit si zjarrvënës duhet të jepet brenda dy ditësh.
“Është një nismë e justifikuar. Ndëshkimi ndaj zjarrvënies është demokratike. Në Athinë zjarrvënia është dënuar më shumë se çdo krim tjetër.
Tek ne, sa më shumë afrohemi tek rreziqet e zjarrvënies aq më të lehta janë ligjet. Këtë vit po përjetojmë të nxehtin më të madh, por edhe zjarrvënien më të madhe. Duhet të ndëshkohet në mënyrë spektakolare.
Kemi një drejtësi që ngre task forcë për gjëra humane si psh zgjedhjet, por ku është task forca për zjarret, është paradoksale. Njerëzit që janë kapur do të ndëshkohen pas një viti, kujt po i duhet? Ajo brenda dy ditësh duhet të jepet vendimi”, tha Çupi.
Çupi foli dhe për reformën për lirimin e hapësirave publike në vend do të kërkojë më shumë se 4 vite. Çupi u shpreh se ligji duhet të respektohet nga të gjithë.
“Po tentojnë të ngrejnë alarm, grusht shteti kundër sistemit dhe sigurisë së vendit, duke cënuar territorin. Nuk është aq shumë çështje pasurore. Është barazia ndaj biznesit. Disa njerëz me makutëri tentojnë të zgjerojnë bizneset e tyre në territore që nuk iu takojnë.
Të tjerë që nuk e bëjnë këtë, respektojnë ligjin. Kush mbron ligjin mbetet i diskriminuar. Kjo disbalancë duhet të ndryshojë në mënyrë të menjëhershme. Besoj se do ketë më shumë se 4 vite, për shumë arsye.
Për arsye të pranimit në BE, që do jetë e sigurt dhe e afër. Është problemi i traditës sonë, e dëmtuar shumë pas viteve ’90. Ligji është gjëja më e fundit që respektohet nga njerëzit, prandaj kërkon më shumë se 4 vjet”, theksoi ai.