Një 42-vjeçar i cili vidhte nëpër shezlongë dhe automjete sendet personale të pushuesve ka rënë në prangat e policisë së Durrësit.
Blutë bëjnë me dije se i arrestuari ishte shpallur në kërkim edhe për vjedhje të tjera të kryera më parë.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Komisariati i Policisë Durrës, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të autorësisë së vjedhjeve të ndodhura më parë, si dhe bazuar në informacionet e siguruara nga këqyrja e kamerave dhe në prova të tjera të siguruara gjatë hetimit, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Manzë, u finalizua operacioni policor i koduar “Sendet”.
Në kuadër të operacionit, u bë kapja e shtetasit në kërkim I. B., 42 vjeç, banues në Manzë, Durrës, i dënuar më parë po për vjedhje dhe i shpallur në kërkim për vjedhje të tjera.
Nga hetimet e kryera dhe nga analizimi i pamjeve filmike, rezulton se ky shtetas është autor i vjedhjeve nëpër shezlongë të sendeve personale të pushuesve, si dhe i vjedhjes së një automjeti në Shkozet, Durrës.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi në fushën e vjedhjes së pronës, pasi dyshohet si autor i disa vjedhjeve të ndodhura më parë në territorin e qarkut Durrës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.