Nga 14 vatra zjarri të raportuara në orët e fundit, vetëm dy prej tyre janë ende aktive. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se situata nga zjarri në pyllin e Poros në Akërni të Vlorës paraqitet nën kontroll, ndërsa operacioni vazhdon që në orët e para të mëngjesit, ku janë angazhuar forcat zjarrfikëse, bashkiake, ushtria, përfaqësues të AdZM dhe një helikopter nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Vatra është përqendruar në zonën e kënetës Godull dhe ish-fazanerisë, ku ka tym të shtuar për shkak të djegies së pishave dhe trungjeve. Sipas ministrisë, aktualisht nuk vlerësohet si e nevojshme ndërhyrja me skrepa apo avionë Canadair. Kjo është dita e tretë e zjarrit në këtë pyll, edhe pse ka pasur ndërhyrje me helikopter. Një ditë më parë zjarri mori përmasa të mëdha, ndërsa banorëve iu kërkua të evakuohen.
Në zonën e Bogovës, Bashkia Skrapar, zjarri ka pasur intensitet më të ulët, por nuk është izoluar plotësisht gjatë natës. Aktualisht mbahet në monitorim dhe janë djegur rreth 18 hektarë pyll, pa rrezik për banesa.
Ndërsa në zonën e Pezë Helmësit në Tiranë, vatrat janë të izoluara dhe pa rrezik të shtuar.