Të shtëna armësh zjarri janë dëgjuar pak minuta më parë në zonën e Kombinanit në Tiranë.
Burime jo zyrtare bëjnë me dije se bëhet fjalë për përdorim armësh automatike, ndërsa në zonë dëgjohen sirenat e automjeteve të policisë dhe auto-ambulancave.
Ndërkohë bëhet me dije se autori është identifikuar dhe policia po punon për ta vënë në pranga.
“Në Kombinat, ka qëlluar njëri me armë, është identifikuar, por s’ka të dëmtuar”, raporton gazetari Edison Vatnikaj.
Policia ka reaguar për këtë ngjarje duke dhënë detaje se të shtënat erdhën pas një konflikti të çastit për motive të dobëta.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 12:10, në rrugën “Petraq Leka” dyshohet se pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, është qëlluar me armë zjarri ndaj automjetit me të cilin po lëvizte shtetasi E. K., 37 vjeç. Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.
Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë identifikuar autorin e dyshuar të ngjarjes, gjeneralitet e të cilit nuk jepen, për shkak se hetimi vijon.
Po punohet intensivisht për dokumentimin e rrethanave të rastit si dhe kapjen e autorit të dyshuar të ngjarjes.