Nga Mero Baze/

Adriatik Lapaj, humbi sot të drejtën për të marrë mandatin në Kuvend, duke paguar shtrenjtë një manovër formale me listën e mbyllur, të mbushur me kushërinj dhe të afërm të drejtuesve të koalicionit, për t’i lënë vend garës së hapur pas numrit 12 në Qarkun e Tiranës.

Edhe pse formalisht duket sikur Lapaj e humbi mandatin nga kjo manovër, në të vërtetë ai e humbi mandatin nga sjellja e tij politike, e cila zbuloi defekte thelbësore në identitetin e tij si politikan.

Së pari, e humbi mandatin pasi premtoi se nuk do ta merrte atë nëse koalicioni merrte vetëm një mandat. Duke shkelur këtë premtim, ai ngjalli zemërim dhe ambicie te anëtarë të listës së mbyllur që nuk ishin të partisë së tij, ambicie që çuan pastaj në ballafaqim ligjor të listës, e cila e çoi mandatin te një tezja e tij emigrante, e cila nuk dihet nëse është njoftuar që do të jetë deputete apo jo.

Kjo e banalizon tërësisht performancën e tij politike dhe e kthen deputetimin e tij politik në një komedi që do të mbahet mend gjatë në politikën shqiptare.

Nëse Lapaj nuk do ta kërkonte mandatin e vetëm që mori koalicioni i tij, kjo nuk do të ndodhte. Por edhe nëse do të ndodhte, ai do të dilte shumë fisnik nga kjo betejë dhe nuk mbytej në vogëlsira.

Shembulli më i shkëlqyer i dinjitetit në këtë rast është Arlind Qorri, një politikan për të cilin nuk kam fare respekt për programin e tij neomarksist, por nuk mund të mos respektosh personalitetin e tij, koherencën dhe dinjitetin në raport me mandatin në parlament. Dhe ai e vendosi emrin të dytin në listë, por jo formalisht. Mori një mandat dhe atë mandat nuk ia vuri në dyshim atij që kishte para vetes. Kjo e bën atë një lider më të fuqishëm politik sesa një kryetar me mandat deputeti, pasi e bën një njeri te i cili mund të besosh në atë që thotë.

Është pikërisht kjo veti që te Lapaj u ekspozua fort si një boshllëk i madh.

Po aq seriozë u treguan dhe dy deputetët e rinj në partinë e Agron Shehajt, duke u përqendruar vetëm në Tiranë dhe duke marrë dy deputetë, në një betejë të tyre të qartë politike, si një alternativë opozitare e ndryshme nga PD.

Së dyti, ishte e trishtueshme se si Lapaj u përball me betejën ligjore në KQZ, KAS dhe Kolegj Zgjedhor për mandatin e tij. Një herë inkurajoi Celibashin t’ia japë motrës së vet mandatin, pastaj shkoi në KAS të mbrojë atë vendim, ndërsa sot shkoi në Kolegj për ta prishur vendimin e KAS dhe për t’ia rikthyer motrës së tij jo biologjike.

Kjo është tregues i dhimbshëm dhe për formimin e tij si jurist dhe avokat, përtej të qenit politikan. Është një avokat që nuk di të mbrojë as veten, duke e qesharakizuar gjithë procesin.

Dhe së fundmi, e gjithë shija që la beteja e tij për mandatin, sfumoi gjithë betejën që bëri në fushatë elektorale për t’u paraqitur si një forcë e re që do tejkalonte problemet e pushtetit të vjetër në Shqipëri.

Ai nuk bëri vetëm betejë ligjore, por dhe betejë mafioze për mandatin. Kërcënimet ndaj Endri Shabanit me jetë nga kushërinj të tij jashtë Shqipërisë apo sponsorë të padeklaruar të tij, ekspozuan një anë të errët të lidhjeve të politikës së re me metodat banditeske të vjetra në Shqipëri, që të sjellin zorrët në fyt.

Ai tregoi se fiksimi pas mandatit të deputetit ishte më i madh se integriteti i tij si një drejtues i ri politik, që duhet ta shpërfillte këtë problem dhe duhet ta kthente në barrë fajësie për kundërshtarët që ai mendon se e kanë provokuar këtë debat. Përkundrazi, ai nuk la gjë pa bërë, përfshi dhe kërcënimet fizike, që ta fitonte këtë betejë, për të cilën duhet të ishte i qartë qysh në momentin që nisi se e kishte të humbur. E vetmja mënyrë që ta fitonte këtë betejë ishte të mos ta bënte atë. Por ndonjëherë në politikë nuk e ke veten në dorë. Të ka ajo në dorë, dhe ajo është e pamëshirshme.

Ai duhet ta shmangte këtë debat, dhe nuk duhet t’i hynte fare kësaj historie, por ta paraqiste si një defekt të sistemit kundër të rinjve dhe të vazhdonte betejën. Por nuk e mundi dot veten!/TEMA