Qysh kur Trump fitoi mandatin e tij të parë presidencial, numri i votuesve të regjistruar si Republikanë është rritur me 10% (në 30 shtetet e federatës amerikane ku votuesit regjistrohen paraprakisht si përkrahës të njërës apo tjetrës parti, ose si të pavarur). Nga ana tjetër, numri i votuesve të regjistruar si Demokratë është pakësuar me 11%.
Në sondazhin mujor GALLUP të gushtit, vetëm 40% e amerikanëve (të të gjitha orientimeve politike) e miratojnë në përgjithësi punën e derisotme të Presidentit Trump – vetëm 39% politikën e tij të jashtme dhe vetëm 37% politikat e tij ekonomike. Por ndër votuesit e regjistruar si republikanë, këto shifra janë mbi 92%!
Nga ana tjetër, vlerësimi pozitiv për opozitën Demokrate është në nivelin dëshpërues 30%.
Këto shifra tregojnë se opozita Demokrate në SHBA ka një mal të lartë përpara për ta ngjitur, deri sa të rikthehet në pushtet…
Vijmë në Shqipëri.
Në 18 vjet që kam zhvilluar sondazhe këtu, Rama më ka rezultuar gjithnjë me kuota më të larta se Berisha. Në vitet 2007-2011 diferenca ishte shumë e vogël mes tyre, por nga 2013-ta e këtej, ajo është zgjeruar shumë. Në sondazhin e fundit që zhvillova pas zgjedhjeve të 11 majit 2025, epërsia e Ramës ndaj Berishës shkoi deri në 20 pikë…
Këto shifra tregojnë se opozita Demokrate në Shqipëri ka një mal të lartë përpara për ta ngjitur, deri sa të rikthehet në pushtet…