Marina Fara, vajza e këngëtares së muzikës së lehtë shqiptare Eli Fara, është arrestuar nga agjentët e narkotikës me 4.4 gramë kokainë. E njohur dhe me emrin Roxhensa Kapurani, e reja lëvizte e vetme me makinë në zonën e Vorës dhe aty është ndaluar nga patrulla.

Efektivët e Komisariatit të Vorës i kanë bërë kontroll në mjet dhe kontroll fizik, nga ku ka rezultuar se ajo kishte një sasi lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

Në vendin ku ishte ndaluar e 39 vjeçarja, kanë shkuar dhe specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Policisë së Tiranës, të cilët kanë konstatuar se lënda narkotike e ndarë në katër doza të vogla ishte kokainë dhe me peshë totale 4.4 gramë.

Menjëherë, është bërë arrestimi i Marina Farës alias Roxhensa Kapuranit, në kushtet e flagrancës.

Vajza e këngëtares së njohur Eli Fara ka pranuar posedimin e drogës dhe para hetuesve ka deklaruar se e kishte për përdorim personal. Megjithatë, dyshimet janë se 39 vjeçarja e kishte kokainën për qëllim shitje, ndaj dhe ndalimi i saj në Vorë nuk ka qenë i rastësishëm.

“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasen Roxhensa Kapurani, 39 vjeçe, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë i gjetën një sasi të dyshuar narkotike kokainë”, thuhej në njoftimin për media të Policisë së Tiranës.

Pesë vite më parë, Marina Fara doli në përgjime në kuadër të operacionit “Mezhgorani” ku u arrestuan më shumë se 30 persona. Asokohe, ajo dyshohej se kishte ndihmuar dy të dyshuar për trafik droge që të arratiseshin dhe t’i shpëtonin autoriteteve.

Marina Fara alias Roxhensa Kapurani do të dalë sot para togave të zeza, të cilat do të bëjnë vlerësimin e masës së sigurisë, për të vendosur nëse arrestimi i saj ka qenë i ligjshëm apo rasti do të hetohet në gjendje të lirë.