Sipërmarrësi amerikan Elon Musk ka akuzuar Apple për shkelje të rregullave antitrust dhe ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër kompanisë amerikane të teknologjisë për mënyrën se si renditen aplikacionet e rrjetit të tij social X dhe mjetit të inteligjencës artificiale Grok në App Store.
Sipas Financial Times, Musk pretendon se Apple e bën “të pamundur” për çdo kompani AI, përveç asaj të drejtuar nga Sam Altman (OpenAI), që të arrijë renditjen më të lartë në App Store, duke e cilësuar këtë si “një shkelje të qartë të ligjit antitrust”. Ai tha se kompania e tij “do të ndërmarrë menjëherë veprime ligjore”.
Në një seri postimesh në X, Musk u ankua se App Store refuzon të përfshijë X dhe Grok në seksionin “Must Have”. Aktualisht, aplikacioni më i shkarkuar falas në App Store është ChatGPT i OpenAI, ndërsa Grok renditet në vendin e gjashtë.
Sam Altman reagoi ndaj akuzave të Musk, duke shkruar në X: “Ky është një pretendim befasues, duke marrë parasysh ato që kam dëgjuar se Elon bën për të manipuluar X në favor të vetes dhe kompanive të tij.”
Ky konflikt i ri publik shënon një tjetër përplasje të Musk, pas debateve të tij të hapura me Altman dhe ish-presidentin amerikan Donald Trump. Marrëdhëniet mes Musk dhe Trump u prishën në qershor, pasi shkëmbyen akuza në rrjetet sociale pas kritikave të Musk ndaj paketës fiskale dhe të shpenzimeve të miratuar nga Trump.
Përplasja me Apple vjen në një kohë kur kompanitë amerikane të AI po përballen me rritje të shqyrtimit publik mbi përfitimin nga miliarda dollarë të investuara në industri vitet e fundit. Apple, ndërkohë, po përballet me presione të tjera ligjore për aksesin e kompanive të jashtme në App Store. Më herët këtë vit, Bashkimi Europian e gjobiti me 500 milionë euro për shkelje të rregullave të konkurrencës dhe e paralajmëroi për sanksione të mëtejshme.
Sakaq, Apple nuk ka reaguar ende lidhur me akuzat e Musk.