Engjëllush Avdulaj është emëruar zyrtarisht në krye të Policisë Bashkiake të Vlorës, pas një procesi të hapur konkurrimi. Bashkia e Vlorës ka përmbyllur procesin e përzgjedhjes së drejtuesit të ri të Policisë Bashkiake, ku morën pjesë gjithsej pesë kandidatë. Kandidatët iu nënshtruan një testimi me shkrim mbi njohuritë profesionale dhe një interviste përpara komisionit të posaçëm.

Pas vlerësimit të rezultateve, analizës së figurës dhe vizionit për drejtimin e strukturës, komisioni përzgjodhi Engjëllush Avdulajn si profilin më të përshtatshëm për këtë detyrë. Vendimi mori mbështetjen e drejtuesve vendorë dhe qendrorë, duke u bazuar në kritere të qarta si integriteti, përvoja, aftësitë menaxheriale dhe lidershipi.

Me një karrierë të gjatë e të konsoliduar në strukturat e rendit publik dhe administratës vendore, Z. Avdulaj njihet për profesionalizmin dhe komunikimin e afërt me qytetarët. Ai ka fituar respektin e komunitetit falë vendimmarrjeve të guximshme dhe operacioneve të suksesshme të drejtuara prej tij ndër vite.

Në vitin 2013, ai mbahet mend si Komandant i Repartit Special “Shqiponja”, që mori pjesë dhe drejtoi këtë strukturë në operacionin kundër lojërave të fatit, ku personalisht ai u përball edhe me kërcënime serioze ndaj jetës së tij nga eksponentë të krimit të organizuar.

Një vit më pas, në 2014, ai dha një tjetër kontribut të rëndësishëm si drejtues i së njëjtës strukturë gjatë operacionit madhor kundër kultivimit dhe tregtimit të drogës në Lazarat, duke marrë pjesë e drejtuar forcat e këtij reparti duke ndihmuar në realizimin me sukses të një prej aksioneve më të rëndësishme të rendit publik në vend.

Ky aksion u cilësua në atë kohë si një sukses historik i Policisë së Shtetit, që ngriti lart imazhin e Shqipërisë në Europë.

Kryeministri Rama gjatë vizitës në Repartin Special “Shqiponja”

Prioritetet e mandatit të ri

Sipas burimeve nga Bashkia e Vlorës, drejtimi i ri i Policisë Bashkiake do të përqendrohet në forcimin e efikasitetit të shërbimit, mbrojtjen e hapësirave publike, respektimin e rregullit urbanistik dhe kujdesin ndaj mjedisit e pastërtisë urbane.

Ky zhvillim shihet si një hap i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve mes Policisë Bashkiake dhe komunitetit, duke synuar ta bëjë Vlorën një qytet më të qetë, më të sigurt dhe me standarde më të larta jetese.

Engjëllush Avdulaj gjatë punës në institucionet e sigurisë publike