Do të ishte më e thjeshtë sikur të kisha përdorur fjalën “hidhëruar” sipas versionit normativ të gjuhës, në vend të gegnishtes “idhnuem”. Mirëpo fjala ‘hidhëruar’ nuk do të kishte prodhuar kuptimin real. “ Të hidhëruar’ me atdheun njerëzit mund të jenë edhe kur u vjen ‘ hidhët’, dmth., u vjen keq për gjëra që nuk shkojnë mirë. Kjo është komplet e kundërta me gjendjen e këtyre njerëzve në qasje me vendin e tyre. Këta janë ‘ të idhnuem’. Fëmijët e përdorin këtë emocion kur humbin lojën me shokun, ose kur shoku u merr topin, ose kur dikush u bën një gjë të keqe.

Në rastin tonë, kur ‘ të idhnuem me atdheun’, janë së pari ish burra shteti si presidentë republike e kryeministra e ministra…, atëherë kemi të bëjmë me akte të tmerrshme krimi, jo thjesht ‘idhnim’. Kemi të bëmë me aktet e përdorimit të çdo mjeti dhune dhe mashtrimi dhe shpifjeje kundër të vërtetës dhe realitetit. Pse? Vetëm pse populli u mori topin, domethënë pushtetin; ata janë gati ta fusin në zjarr. Madje shuma zjarre që po u vihen maleve, fushave, pyjeve, bregut të detit e buzë qyteteve…, jam i sigurt se i vë dora e këtyre ‘udhëheqësve’ kriminalë. Kur ‘ të idhnuemit’ si akt ka ndodhur në stinën e dimrit, në mes të ngricave e borës, atëherë këta kanë marrë skuadrat e tritolit dhe të pushkatimit e kanë shembur shtyllat e linjave elektrike. Këtu kemi qenë dhe i kemi parë pa pikën e fuqisë që t’ i çojmë në ‘hapsane’. Edhe kjo fjalë mund të zëvendësohej me fjalën ‘qeli’, por ja që tingëlloka më bukur në të folmen e vjetër… Errësira dhe i ftohti ka mbuluar jetën e viktimave të këtyre.

Ç’të keqe u ka bërë atdheu këtyre njerëzve?

Mirë se të korruptuarve kriminalë u ka prerë duart që të mos vjedhin më pasurinë publike. Kjo tashmë dihet çfarë po ndodh me Drejtësinë e re. Mirë se familjarëve të të korruptuarve u ka treguar vendin dhe sekuestruar pasurinë e grabitur…Këta përbindësha paskan të drejtë të idhnohen dhe t’i venë flakën atdheut, madje mundësisht të djegin edhe ndonjë duzinë njerëz.

Kur nuk kanë mundësinë për urët e zjarrit, atëherë këta përdorin fjalët. Fjalë të ndyra, fjalë të egra, fjalë shpifëse, fjalë të zeza kundër vendit. Ish presidenti i vendit, që po numëron ditët deri në seancën tjetër në Gjykatën Speciale, nxjerr nga sirtarët pamje nga Shqipëria kur ky ishte në krye. “ Ja si është turizmi!, thotë. Ja si është Shqipëria”. Në fakt atë Shqipëri që ndoti ai, nuk mund ta gjejmë as në arkiva; arkivat u dogjën po prej tij. Një gazetë e përditshme, e vetmja e pavarur, u dogj e tëra, me gjithë kompjuterë dhe njerëz, po prej tij.

Gazetarët që kanë mbetur nga djegia, disa i janë bashkuar atij me shpresë se ‘të vrarët dje mund të vrasin dikë sot’, disa i janë bashkuar Irfanit dhe disa kanë marrë një kamera e dalin nëpër Shqipëri: “ Turizmi sivjet ka falimentuar, thonë sa kanë në kokë.- Ky vend nuk mund të ketë turizëm elitar… Nuk ka dyqane ndërkombëtare, nuk vlen ky vend!”

Të tjerë, kur del gënjeshtra me turizmin, kthehen te birra. “ Dy vetë pinë një birrë!’, thanë këto ditë. Turpi më i madh i asaj që është quajtur gazetari prej shekujsh. Po në qoftë se një shishe verë e pinë pesë vetë, kushedi çfarë tragjedie për Shqipërinë e këtyre. Po nëse nën një çadër rrinë tre vetë, a qenka bërë nami në Shqipëri!?. Budallenj që nuk e fshehin dot budallallëkun.

Kur përmendet Europa si aleate e Shqipërisë, këta tërbojnë. Kur Europa thotë se Shqipëria ka bërë hapa të shpejtë ‘ drejt nesh’, këta tërbojnë. Kur Drejtësia ia çon zjarrin te këmbët krimit, këta duan të digjen më parë. Kur bota mahnitet me Shqipërinë që ka ndryshuar dhe është bërë si shoqet perëndimore, këta duan të gjuajnë botën me gurë. Kur populli po është i qetë e në punë, këta i thonë ‘ejani në ferr ku ishim bashkë”.

Çudi e madhe! Ka opozitë kudo, ka media të egra dhe media acide edhe gjetkë, ka shpirtra të këqij dhe psikopatë, ka njerëz që nuk e duan përparimin…, por si këta nuk mendohet. Urtësia hyjnore thotë se “ai që nuk do vendin e tij, familjen e tij, atë që ka afër, ai është i pafe”. Po për vete, këta a mund të mendojnë pakëz?!. Sepse me shpirt të hidhët, me vrer në tru dhe flutura në stomak, këta nuk jetojnë dot të qetë. Këta sëmuren nga ‘të idhnuemit’ ndaj Atdheut dhe ‘vdesin më shpejt’, thotë Frojdi.