Kryetari i Partisë Demokratike u përpoq që gjatë fjalës që mbajti për ish-presidentin e ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, gjatë eventit për promovimin e librit për të, ta vendoste veten e tij në qendër të marrëdhënieve dypalëshe sikur mes tyre të mos kishte ndodhur asgjë.

Në narrativën e tij për kujtimet që kishte me Rugovën, ai e vuri veten në rolin e ‘negociatorit’ apo aleatit të madh, deri në takime diplomatike.

Por Berisha nuk i shpëtoi as gafave epike, ku ngatërroi pavarësinë e Kosovës me atë të Shqipërisë.

Teksa tregonte një bisedë të Rugovës me ish-presidentin amerikan Bill Klinton, ku kërkonte pavarësinë e Kosovës, kreu i selisë blu u bë ‘lëmsh’.

“Pas lufte… ju them unë juve… ai ishte (Rugova) garanti i pavarësisë së Shqipërisë…. i Kosovës, më falni!”, tha ai dhe e kaloi me buzëqeshjen e tij karakteristike.