Gazetarja Klara Buda ka nxjerr një foto të panjohur të gazetarit dhe publicistit Artur Zheji, si gazetar i Radio Radicale në Shkup.
Krahas fotos së postuar në Facebook, ajo shprehet se do i mungojë me shqipen e tij të bukur.
“Do të mungosh për shqipen e bukur dhe erudite që flisje…për inteligjencën dhe ironinë e hollë…Lamtumirë Artur Zheji”, shkruan Buda.
“Një çast i rrallë i viteve 1992–1993, në Shkup: në të djathtë kolegu Artur Zheji, për Radio Radikale në Romë, në mes Eshref Aliu, deputet i Partisë për Prosperitet Demokratik në parlamentin e parë pluralist të Maqedonisë së veriut, dhe në të majtë unë Klara Buda për Radio France Internationale në Paris. Të tre gazetarë, pasi Eshref Aliu kishte qenë gazetar i “Flakës”.
Kjo tryezë e vogël ishte dëshmi e një momenti të madh, kur fjala e lirë shqipe sapo fillonte të merrte frymë në Ballkan. Zgjedhjet e para të lira pas pavarësisë së Maqedonisë na bashkuan në një intervistë të përbashkët me Eshref Aliun, atëherë ministër i Kulturës. Ai ishte shumë entuziast në bisedën me ne të dy, sepse partia e tij, Partia për Prosperitet Demokratik (PPD), e para parti shqiptare e regjistruar në ish-Jugosllavi, shënonte atëherë fillimet e pluralizmit politik.
Me Zhejin ndonëse jo gjithmonë dakord, në atë intervistë u gjendëm në harmoni të plotë. Aq sa Eshrefi, nga ritmi “tak-o-tak” na tha se dukej sikur e kishim parapërgatitur intervistën. Në fakt, intervistat, të destinuara për dy radio të ndryshme, nuk mund të ishin identike, por aty ndodhi diçka më e madhe: një rezonancë, ku secili nga ne e reformulonte me përsosmëri pyetjen e tjetrit, dhe regjistrimi qe i vazhduar. E ruaj ende atë intervistë në arkivin tim; Radio Radicale e mban në arkivat e saj online.
Sot, po të mund të ndërhyja në epitafin e Zhejit do të doja të ndërkallja (fjalën “ndërkallje” e familjarizoi në gjuhën gazetareske, aty ku shumica rendom ende përdor “insert”) këtë frazë: do të mungosh për shqipen e bukur dhe erudite që flisje…per intelegjencen dhe ironine e holle…Lamtumirë Artur Zheji !”, shkruan ajo.